Tërheqja e një divizioni nga Gaza nxit përçarje të re në Qeverinë e Izraelit - NACIONALE

Tërheqja e një divizioni nga Gaza nxit përçarje të re në Qeverinë e Izraelit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ministër izraelit i së djathtës ekstreme ka kritikuar një vendim të ushtrisë së vendit të tij për të tërhequr një divizion ushtarak nga Gaza, duke shpërfaqur përçarje të mëtejme mes politikanëve rreth ofensivës në enklavën palestineze.

Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, tha se një “breshëri raketash”, që u hodh nga Gaza drejt Izraelit të martën në mëngjes, “dëshmon edhe një herë se pushtimi i Rripit [të Gazës] është i nevojshëm pë realizimin e qëllimeve luftarake”, raporton televizioni CNN.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë të hënën se Divizioni i 36-të, i cili përbëhet nga kompani të blinduara, të inxhinierisë e të këmbësorisë, u tërhoq nga Rripi i Gazës pas 80 ditëve, si shenja më domethënëse deri më tani për kalimin në një fazë të re të luftimeve që disa zyrtarë izraelitë e kanë premtuar.

Një numër në rritje i udhëheqësve botërorë e kanë dënuar rritjen e numrit të viktimave në Gaza, përderisa ofensiva ushtarake izraelite në Gaza ka lënë të copëtuara pjesë të mëdha të enklavës e mbi 2,2 milionë njerëz të rrezikuar nga vdekja nga uria, sëmundjet vdekjeprurëse e zhvendosja e detyrueshme.

Nga sulmet izraelite në Gaza janë vrarë të paktën 24 mijë e 100 palestinezë e janë lënduar mbi 60 mijë e 800 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë atje, që menaxhohet nga Hamasi. Televizioni CNN nuk mund t’i vërtetojë shifrat në mënyrë të pavarur për shkak të vështirësive gjatë raportimit nga zona e luftës.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha të hënën se “faza e manovrimit intensiv” e ofensivës ushtarake izraelite në veri dhe jug të Gazës “do të përfundojë së shpejti”.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite i tha televizioni CNN se Divizioni i 36-të u tërhoq nga Gaza “për një periduhë rifreskimi e trajnimi”, duke shtuar se për lëvizjet e ardhshme të këtij divizioni ende nuk janë marrë vendime.

“Në fund të periudhës dhe sipas vlerësimit të situatës, do të vendoset për vazhdimin e aktivitetit operues të forcave të divizionit sipas nevojës operacionale”- shtoi zëdhënësi.

Tërheqja e këtij divizioni nënkupton që tani në Gaza kanë mbetur tri divizione luftarake, bashkë me forcat speciale, sipas zëdhënësit të ushtrisë izraelite.

Lajme të ngjashme