Tensione mes dy Koreve, Veriu kërcënon Jugun me armë bërthamore - NACIONALE

Tensione mes dy Koreve, Veriu kërcënon Jugun me armë bërthamore

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Korea e Veriut e kundërshton luftën, por do të përdor armë bërthamore nëse Korea e Jugut sulmon, tha të martën Kim Yo Jong, motra e fuqishme e liderit Kim Jong Un, në një paralajmërim që analistët thonë se ka për synim presidentin e ardhshëm konservator të Jugut.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, Reuters raporton se Kim Yo Jong, një zyrtare e lartë në qeveri dhe partinë në pushtet, tha se ishte një "gabim shumë i madh" për ministrin e mbrojtjes të Koresë së Jugut që të diskutojë për sulme në Veri.

Ky reagim vjen pasi ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Suh Wook, kishte thënë të premten se ushtria e vendit të tij ka një shumëllojshmëri raketash me rreze, saktësi dhe fuqi të përmirësuar dukshëm, me "aftësinë për të goditur me saktësi dhe shpejt çdo objektiv në Korenë e Veriut".

Të dyja Koretë kanë rritur shfaqjen e fuqisë ushtarake. Ndërsa, zyrtarët në Seul dhe Washington gjithashtu kanë frikë se mes negociatave në ngecje, Korea e Veriut mund të përgatitet të rifillojë testimin e armëve bërthamore për herë të parë që nga viti 2017.

Kim dhe një zyrtar tjetër i Koresë së Veriut dolën me deklarata të dielën duke dënuar komentet e Suh dhe paralajmëruan se Pheniani do të shkatërronte objektivat kryesore në Seul nëse Jugu ndërmerr ndonjë "aksion të rrezikshëm ushtarak".

Ndërsa, duke folur ditën e martë, Kim tha se Pheniani kundërshton luftën, e cila do ta linte gadishullin në gërmadha dhe nuk e sheh Korenë e Jugut si armikun e saj kryesor...

"Por nëse Koreja e Jugut, për ndonjë arsye - nga ndonjë gjykim i gabuar - zgjedh për një veprim të tillë ushtarak si 'sulm parandalues' i shpallur nga (Suh Wook), situata do të ndryshojë," shtoi Kim. "Në atë rast, vetë Koreja e Jugut do të bëhet një objektiv."

Ajo shtoi se nëse ushtria e Koresë së Jugut shkel territorin e Koresë së Veriut, ajo do të përballet me një "katastrofë të tmerrshme të paimagjinueshme" dhe forca luftarake bërthamore e Veriut do të duhet të kryejë në mënyrë të pashmangshme detyrën e saj, duke vënë në dukje se Jugu mund të shmangë këtë fat duke hequr dorë nga çdo ëndërr për të nisur një sulm parandalues ​​ndaj një shteti të armatosur bërthamor.

Lajme të ngjashme