Telefonatë e tensionuar: Kryediplomati i ri kinez e qorton ashpër Blinkenin para vizitës në Pekin
Ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i ndërpresin ndërhyrjen në punët e vendit të tij dhe dëmtimin e sigurisë së Kinës gjatë një telefonate me homologun amerikan, Antony Blinken, si shenjë tensioni para vizitës së pritshme të kryediplomatit amerikan në Pekin ditëve të ardhshme.
Diplomati i lartë kinez i tha Blinkenit që t’i respektojë shqetësimet thelbësore të Kinës, si çështja e Tajvanit, në përpjekje për ta ndërprerë uljen e raporteve mes superfuqive, sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës.
Në anën tjetër, Departamenti i Shtetit tha se Blinkeni gjatë telefonatës e theksoi nevojën për komunikim që të shmangen keqllogaritja dhe konflikti dhe tha se ShBA-ja do të vazhdojë që t’i ngrejë fushat e shqetësimit si dhe bashkëpunimin e mundshëm me Kinën, raporton agjencia “Reuters”.
Nëse vizita e Blinkenit realizohet, ajo do të jetë e para në Kinë nga një kryediplomat amerikan në pesë vitet e fundit dhe vizita e profilit më të lartë nga administrata e presidentit Joe Biden, e cila është përplasur me Pekinin për disa çështje, nga dyshimet për spiunazh deri te gjysmëpërçuesit.
Ministria e Jashtme e Kinës ende nuk i ka publikuar të dhënat për vizitën e Blinkenit, për një zyrtar amerikan tha të premten se diplomati do të jetë në Pekin më 18 qershor, pa dhënë hollësi të tjera.
Blinkeni e anuloi vizitën e planifikuar në Pekin në shkurt pas dyshimeve për praninë e një balone kineze të spiunazhit në qiellin e ShBA-së.
Vizitat e zyrtarëve amerikanë në Tajvan, ishull me qeverisje demokratike që Kina e cilëson si pjesë të saj, gjithashtu i kanë rritur tensionet mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
“Që nga fillimi i vitit, marrëdhëniet Kinë – ShBA janë ndeshur me vështirësi dhe sfida të reja dhe përgjegjësia është e qartë”- i tha Gangu Blinkenit, sipas njoftimit të ministrisë kineze.
“Shtetet e Bashkuara “duhet ta ndërpresin ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës dhe ta ndërpresin dëmtimin e sovranitetit, sigurisë dhe interesave të zhvillimit të Kinës në emër të konkurrencës”- shtoi kryediplomati kinez.

