Të shtëna mes ushtrive në kufirin Armeni – Azerbajxhan, raportohet për të vrarë e të plagosur
Ministria e Mbrojtjes e Armenisë ka thënë se dy ushtarë armenë janë vrarë dhe një tjetër është plagosur si rezultat i të shtënave të forcave azere.
Sipas kësaj ministrie, të shtënat kanë ndodhur në pozicionet armene në sektorin e kufirit në fshatin Sotk, raporton Radio “Evropa e Lirë”.
Në mëngjesin e së premtes, ushtria armene raportoi për të shtëna intensive nga ushtria azere në atë pjesë të kufirit.
Në anën tjetër, Azerbajxhani raportoi për tre ushtarë të plagosur të forcave azere dhe pretendoi se janë ndërmarrë “veprime hakmarrëse”.
Forcat etnike armene në Nagorno-Karabak zhvilluan një luftë të shkurtër, por me mijëra të vrarë, kundër ushtrisë azere në vitin 2020.
Luftimet kishin përfunduar me një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia, e cila kishte dërguar trupa paqeruajtëse për ta mbikëqyrur zbatimin e paktit.
