Të paktën gjashtë të vdekur nga rrëzimi i një helikopteri në Siberi - NACIONALE

Të paktën gjashtë të vdekur nga rrëzimi i një helikopteri në Siberi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një helikopter i tipit Mi-8 u rrëzua të enjten në rajonin Altai Krai, në jug të Rusisë, duke lënë të vdekur të paktën gjashtë persona.

Zyrtarët e shërbimeve emergjente thanë se helikopteri u rrëzua dhe filloi të digjej, pasi kishte goditur me flatra një shtyllë që mbante tela të rrymës gjatë aterrimit afër fshatit Tyungur, raporton Radio “Evropa e Lirë”.

Sipas zyrtarëve, tre nga personat e lënduar janë në gjendje serioze, ndërsa Zyra e Prokurorit të Siberisë Perëndimore për Transport tha se ka nisur një hetim për këtë rast.

Edhe Komiteti Hetues tha se ka nisur një hetim për “shkeljen e rregulloreve të sigurisë gjatë operimit të një mjeti fluturues”.

Sipas prokurorisë, në helikopter ndodheshin tre anëtarë të ekuipazhit dhe 13 pasagjerë. Helikopteri ishte pronë e kompanisë lokale, “AltaiAvia”.

Për shkak të këtij aksidenti, banorët e fshatrave Tyungur dhe Kuchelra raportuan për probleme rreth furnizimit me energji elektrike.

Sipas faqes “Baza”, me këtë helikopterë ishin duke udhëtuar turistë nga Rusia dhe Bjellorusia.

Lajme të ngjashme