Të paktën 29 të vrarë nga një sulm izraelit në kampin e të zhvendosurve në Gaza
Së paku 29 palestinezë janë vrarë e dhjetëra të tjerë janë plagosur nga një sulm ajror izraelit në një kamp për persona të zhvendosur afër një shkolle në jug të Gazës, thonë zyrtarët spitalorë.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e menaxhuar nga Hamasi, tha se sulmi kishte goditur afër portës së shkollës “Awda” në qytezën Abasan al-Kabira, në lindje të qytetit Khan Younis, raporton televizioni BBC.
Ushtria izraelite tha se kishte përdorur “municion preciz” për të vënë në shënjestër “një terrorist nga krahu ushtarak i Hamasit”, i cili, sipas ushtrisë, kishte marrë pjesë në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit.
Më tej, forcat izraelite thanë se “po i shikonin raportimet se civilë ishin lënduar” pranë shkollës “Awda”, ku janë strehuar njerëz të zhvendosur nga fshatrat lindore të qytetit Khan Younis.
Incidenti vjen një javë pasi ushtria izraelite i urdhëroi civilët që të largoheshin nga Abasan al-Kabira dhe nga zonat e tjera lindore të qytetit Khan Younis, duke e nxitur largimin e dhjetëra mijëra njerëzve.
Televizioni BBC ka biseduar me dëshmitarë, të cilët thanë se zona ishte e mbushur me persona të zhvendosur në kohën e sulmit.
Sulmi rezultoi në shkatërrim të gjerë e vdekje të grave e fëmijëve, sipas dëshmitarëve.
Pjesë të trupave ishin shpërndarë në vendin e sulmit dhe shumë njerëz që po qëndronin në tenda, afër shkollës, gjithashtu pësuan lëndime.
Ayman Al-Dahma, 21 vjeç, i tha BBC-së se rreth tre mijë njerëz ndodheshin në zonë në kohën e sulmit.
“Ata thanë se ishte vend i sigurt, se kishte ujë e ushqim, kishte shkolla e gjithçka... Papritmas një raketë bie mbi ty dhe tërë njerëzit përreth teje” – tha ai.