Të paktën 28 të vdekur e 18 të zhdukur nga zjarri në një minierë të Kazakistanit - NACIONALE

Të paktën 28 të vdekur e 18 të zhdukur nga zjarri në një minierë të Kazakistanit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Së paku 28 persona kanë vdekur e 18 mbeten të zhdukur nga zjarri në një minierë në Kazakistan. Miniera është pjesë e prodhuesit të çelikut me bazë në Luksemburg, “ArcelorMittal”.

Nga 252 personat që ndodheshin në minierën “Kostenko”, 206 ishin evakuuar pas atij që u duk si shpërthim i metanit, ndërsa 18 prej tyre kishin kërkuar ndihmë mjekësore, thuhet në një deklaratë të kompanisë. Rreth 21 personave nuk u dihej vendndodhja deri në orën 14 sipas kohës lokale, raporton agjencia “Reuters”.

Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe të dielën e 29 tetorit e shpalli ditë zie kombëtare. Ai e urdhëroi kabinetin qeveritar që ta ndërpriste bashkëpunimin për investime me kompaninë “ArcelorMittal Temirtau”.

Qeveria tha në një deklaratë se ishte duke finalizuar një marrëveshje për ta shtetëzuar këtë kompani, e cila e menaxhon minierën më të madhe të çelikut në Kazakistan. Vetë kompania e konfirmoi këtë përmes një deklarate.

Muajin e kaluar, zëvendëskryeministri i Kazakistanit, Roman Sklyar, u tha gazetarëve se vendi i tij ishte në bisedime me investues të mundshëm që do të mund ta merrnin nën menaxhim minierën.

Ai shtoi se kabineti qeveritar nuk ishte i kënaqur me dështimin e kompanisë “ArcelorMittal” për t’i përmbushur detyrimet e investimit, për t’i modernizuar pajisjet dhe për ta garantuar sigurinë e punëtorëve pas një vargu të aksidenteve vdekjeprurëse.

Lajme të ngjashme