Të paktën 18 të vrarë nga shpërthimi në xhaminë afgane, përfshirë klerikun pro talibanëve - NACIONALE

Të paktën 18 të vrarë nga shpërthimi në xhaminë afgane, përfshirë klerikun pro talibanëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Së paku 18 persona vdiqën të premten nga një shpërthim në një xhami të mbushur me njerëz në perëndim të Afganistanit. Në mesin e të vdekurve është një klerik i njohur, i afërt me talibanët, thanë zyrtarët talibanë dhe një mjek.

Shpërthimi nq qytetin Herat e la oborrin e xhamisë “Guzargah” të mbushur me trupa, ndërsa tokën me shenja gjaku, siç shihet në disa video. Njerëzit dëgjoheshin duke bërtitur të tmerruar: “Zoti është i madh”.

Bomba shpërtheu gjatë namazit të së premtes, kur xhamitë janë plot me besimtarë, shkruan “Associated Press”, përcjell Nacionale.

Në mesin e të vdekurve është Mujib-ul Rahman Ansari, klerik i njohur në mbarë Afganistanit për kritikat ndaj qeverive të përkrahura nga Perëndimi në dy dekadat e fundit.

Anasi shihej si i afërt me talibanët, të cilët e morën kontrollin në Afganistan para një viti, pas tërheqjes së forcave të huaja.

Vdekja e tij është konfirmuar nga zëdhënësi kryesor i talibanëve, Zabihullah Mujahid. Pak para shpërthimit, Ansari u takua në një pjesë tjetër të qytetit me zëvendëskryeministrin e qeverisë së talibanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar, i cili ishte për vizitë në Herat.

Me autoambulanca u transportuan për në spitale në Herat 18 trupa dhe 21 persona të lënduar nga shpërthimi, tha Mohammad Daud Mohammadi, zyrtar në qendrën ambulantore në Herat.

Asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për shpërthimin e përgjakshëm të së premtes.

Muajin e kaluar, nga një shpërthim në një xhami të kryeqytetit Kabul u vra një klerik pro talibanëve. Përgjegjësinë për këtë sulm e mori ISIS-i, grup që shpesh i ka goditur xhamitë me sulme vetëvrasëse gjatë lutjeve të së premtes./Nacionale

Lajme të ngjashme