Të paktën 15 të vdekur nga vërshimet në Kinë - NACIONALE

Të paktën 15 të vdekur nga vërshimet në Kinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Së paku 15 persona kanë vdekur nga reshjet e dendura dhe vërshimet, ndërsa katër të tjerë janë zhdukur në Chongqing, në jugperëndim të Kinës, raportoi të mërkurën agjencia shtetërore e lajmeve, “Xinhua”, duke i cituar autoritetet lokale.

Viktimat janë regjistruar nga e hëna, pasi pjesa jugperëndimore e Kinës u prek nga reshjet e dendura, duke i nxitur autoritetet në katër distrikte të rajonit Chongqing që ta lëshonin paralajmërimin e nivelit më të lartë për mot të lig.

Në pamje të ndryshme shihen banorë të qytetit të madh duke u shpëtuar, ndërsa autoritetet duke punuar për t’i pastruar rrugët, raporton televizioni CNN.

Edhe provinca fqinje, Sichuan, është prekur nga vërshimet. Mbi 460 mijë banorë atje janë prekur nga reshjet e dendura, por deri më tani nuk është raportuar për viktima, sipas autoriteteve lokale. Televizioni shtetëror CCTV raportoi të martën se mbi 85 mijë banorë në Sichuan janë zhvendosur.

Të paktën 400 ekipe emergjente janë angazhuar për t’i mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit në atë zonë, sipas medieve shtetërore.

Presidenti kinez, Xi Jinping, i ka urdhëruar autoritetet që t’i bëjnë “prioritet kryesor” mbajtjen e banorëve të sigurt dhe minimizimin e dëmeve, sipas agjencisë “Xinhua”. Ai u tha ministrive të ndryshme, përfshirë autoritetet për kontrollimin e vërshimeve dhe menaxhimin e emergjencave, që ta bashkërendojnë përpjekjen për reagim.

Në Kinë ka pasur reshje të dendura shiu këtë verë. Javën e kaluar, katër persona vdiqën dhe tre u zhdukën në Sichuan pas rrëshqitjes së dheut të shkaktuar nga reshjet e dendura dhe vërshimet, raporton agjencia “Xinhua”.

Lajme të ngjashme