Tarifat: Çmimi i iPhone mund të trefishohet
Çmimi i telefonëve iPhone të Apple mund të trefishohet pas vendosjes së tarifave gjithëpërfshirëse nga presidenti amerikan, Donald Trump.
“CNN” raporton se Dan Ives, kreu global i hulumtimit teknologjik në kompaninë e shërbimeve financiare Wedbush Securities, ka thënë se telefonët iPhone të prodhuar në ShBA do të mund të kushtonin tre herë më shumë se sa çmimi aktual i tyre prej rreth 1 mijë dollarësh.
Kjo për shkak se do të duhej të përsëritej ekosistemi i prodhimit shumë kompleks që aktualisht ekziston në Azi.
"Ju e ndërtoni atë (zinxhirin e furnizimit) në SHBA në një fabrikë në Virxhinia Perëndimore dhe Nju Xhersi. Ata do të jenë iPhone 3500 dollarësh," - tha ai, duke iu referuar objekteve të prodhimit të teknologjisë së lartë ku normalisht prodhohen çipat kompjuterikë që fuqizojnë pajisjet elektronike, transmeton Nacionale.
Dhe edhe atëherë, do t’i kushtonte kompanisë Apple rreth 30 miliardë dollarë dhe tre vite për të lëvizur vetëm 10 për qind të zinxhirit të furnizimit në ShBA, sipas Ives.
Në shkurt, Apple kishte njoftuar se do t’i investojë 500 miliardë dollarë në ShBA përgjatë katër viteve të ardhshme si pjesë e përpjekjeve për të zgjeruar prodhimit jashtë Kinës dhe për të shmangur tarifat e Trumpit në vend.
Analistët e teknologjisë pajtohen se çmimet e iPhone ka shumë gjasë të rriten, edhe nëse zinxhirët e furnizimit qëndrojnë aty ku janë.
Rosenblatt Securities, një bankë investimesh me bazë në Nju Jork, tha se telefonët iPhone mund të jenë 43 për qind më të shtrenjtë, nëse Apple do t'ua kalojë të gjithë koston e tarifave më të larta konsumatorëve, sipas një shënimi kërkimor të cituar nga Reuters.
Neil Shah, nënkryetar i hulumtimit në Counterpoint Research, vlerëson se iPhone mund të kushtojë rreth 30 për qind më shumë, por kjo mund të varet nga vendi i prodhimit.