Talibanët e “pezullojnë” shahun në Afganistan, e lidhin me kumarin - NACIONALE

Talibanët e “pezullojnë” shahun në Afganistan, e lidhin me kumarin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pushtetarët talibanë në Afganistan e kanë “pezulluar” zhvillimin e lojërave të shahut në vend, duke përmendur “aspekte fetare” dhe duke pretenduar se ajo paraqet një formë të “kumarit”.

Një zyrtar i talibanëve tha të dielën se do të merret një vendim për rifillimin e mundshëm të shahut nën patronazhin e departamentit të sportit, por nuk u dha ndonjë periudhë kohore, raporton Radio “Free Europe”.

Që nga rikthimi në pushtet në Afganistan në gushtin e vitit 2021, pushtetarët talibanë kanë vendosur një varg masash kufizuese ndaj sportit dhe ngjarjeve të tjera kulturore.

Ata gjithashtu janë kritikuar rregullisht nga komuniteti ndërkombëtar për shkelje më serioze të të drejtave të njeriut, përfshirë shtypjen e grave dhe vajzave.

Vajzave dhe grave u ndalohet sporti në Afganistan, ndërsa bodybuilderët nuk mund t’i tregojnë kofshët para jurisë dhe spektatorëve gjatë garave.

“Shahu në sheriat konsiderohet si mjet i kumarit. Ka aspekte fetare në lidhje me sportin e shahut” – citohet të ketë thënë zëdhënësi i drejtorisë së sportit, Atal Mashwani.

Ai gjithashtu përmendi disa shqetësime në lidhje me Federatën e Shahut të Afganistanit, për të cilën tha se “ka disa probleme në nivelin e udhëheqësisë”.

“Derisa këto aspekte fetare të adresohen, sporti i shahut është i pezulluar në Afganistan” – shtoi ai.

Lajme të ngjashme