Takimi Trump-Zelensky: A do të kërkojë presidenti amerikan shkëmbim territoresh?
Një takim fort i rëndësishëm pas atij Trump-Putin, do të ndodh të hënën.
Fjala është për takimin Trump-Zelensky.
Neë York Times ka raportuar sot se presidenti amerikan pritet ta shtrojë në diskutim mundësinë e shkëmbimit të territoreve.
“Trump u ka thënë udhëheqësve evropianë të mbështesin një plan për të vënë fund luftës në Ukrainë duke i dorëzuar Rusisë territoret që nuk janë pushtuar, në vend që të përpiqen për një armëpushim,” shkruan Neë York Times.
“Zoti Trump do ta diskutojë këtë plan me Presidentin Volodymyr Zelensky të Ukrainës të hënën në Shtëpinë e Bardhë, dhe udhëheqësit evropianë janë të ftuar të marrin pjesë, thanë zyrtarët, duke folur me kusht anonimiteti për të diskutuar bisedimet private”, thuhet më tutje në raportim.
Megjithatë, se sa kjo ide do të has në përkrahje, mbetet të shihet.
Zelensky ka folur pas një bisede telefonike që pati me Trumpin.
Përmes një postimi në Telegram, ai ka treguar se ka pasur edhe një bisedë telefonike me presidentin amerikan.
Sipas tij, biseda ka qenë substanciale.
“Ukraina e konfirmon sërish se është e gatshme të punojë në mënyrë sa më produktive që është e mundur, për hir të paqes. Presidenti Trump më ka informuar për takimin e tij me liderin rus, për pikat kryesore të bisedës së tyre. Është e rëndësishme që fuqia amerikane të ndikojë në zhvillimin e situatës”, ka deklaruar presidenti ukrainas.
Ai ka kërkuar që evropianët të përfshhen në të gjitha fazat e diskutimeve.
“Është e rëndësishme që evropianët të përfshihen në të gjitha fazat, për të pasur garanci të qëndrueshme të sigurisë, bashkë me Amerikën. I kemi diskutuar sinjalet pozitive prej palës amerikane sa i përket pjesëmarrjes në garanci të sigurisë për Ukrainën. Vazhdojmë të koordinohemi me partnerët për të gjitha pozicionet tona”, ka vlerësuar Zelensky.
Në një telefonatë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, një burim e citoi Trumpin të ketë thënë se udhëheqësi rus kishte ofruar të ngrinte shumicën e vijave të frontit nëse forcat e Kievit do të lëshonin të gjithë Donetskun, rajonin industrial që është një nga objektivat kryesore të Moskës.
Zelensky e hodhi poshtë kërkesën, tha burimi sipas Reuters. Rusia tashmë kontrollon një të pestën e Ukrainës, duke përfshirë rreth tre të katërtat e provincës Donetsk, në të cilën hyri për herë të parë në vitin 2014.
Kaja Kallas, diplomatja më e lartë e BE-së, tha në komentet e saj me shkrim se "realiteti i hidhur është se Rusia nuk ka ndërmend ta përfundojë këtë luftë së shpejti", duke argumentuar se Putin dëshiron t'i zvarrisë negociatat, ndërkohë që nuk merr asnjë angazhim për të ndaluar vrasjet.
Presidenti Emmanuel Macron do të bashkë-kryesojë të dielën pasdite një takim online me Keir Starmer, kryeministrin britanik, dhe Friedrich Merz, kancelarin gjerman, sipas një deklarate nga presidenca franceze.
Në një postim në mediat sociale, z. Macron tha se "Franca mbetet fort në anën e Ukrainës" dhe këmbënguli në nevojën për të vazhduar të ushtrojë presion mbi Rusinë.