Tajvani thotë se 10 aeroplanë luftarakë kinezë hynë në zonën e mbrojtjes ajrore
Dhjetë aeroplanë të forcave ajrore kineze hynë në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit të mërkurën, duke shoqëruar pesë luftanije kineze të përfshira në patrulla të gatishmërisë luftarake, tha Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit. Kjo ishte hyrja e dytë e tillë e aeroplanëve kinezë këtë javë.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se duke filluar nga ora 9 e mëngjesit, vërejti gjithsej 25 aeroplanë kinezë të angazhuar në operacione mbi det, përfshirë aeroplanët luftarakë të tipit J-10 dhe J-16, si dhe bombarduesit H-6, raporton agjencia “Reuters”.
Prej atyre aeroplanëve, ministria tha se dhjetë prej tyre ose e kaluan vijën e mesit të Ngushticës së Tajvanit, që më parë ka shërbyer si kufi jozyrtar mes dy palëve, ose hynë në pjesën jugperëndimore të zonës identifikuese të mbrojtjes ajrore të Tajvanit.
Sipas ministrisë tajvaneze, këta aeroplanë ishin duke vepruar në bashkërendim me pesë luftanije kineze të përfshira në patrulla të gatishmërisë luftarake, duke shtuar se ushtria tajvaneze dislokoi anije e aeroplanë për ta përcjellë situatën.
Zona identifikuese e mbrojtjes ajrore është hapësirë e gjerë që Tajvani e vëzhgon dhe e patrullon për t’u dhënë forcave të tij më shumë kohë për t’u kundërpërgjigjur në rast rreziku dhe aeroplanët kinezë nuk kanë hyrë në hapësirën ajrore territoriale të Tajvanit.
Të dielën, Tajvani raportoi për një nivel të ngjashëm të aktivitetit të aeroplanëve luftarakë dhe luftanijeve kineze afër ishullit me qeverisje demokratike.
Kina organizoi ushtrime ushtarake përreth Tajvanit në prill, pasi presidentja Tsai Ing-wen u kthye në ishull nga një vizitë në Shtetet e Bashkuara, ku ishte takuar me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Kevin McCarthy.
Në gushtin e vitit të kaluar, Kina mbajti ushtrime ushtarake përreth Tajvanit si protestë kundër vizitës në Tajvan të kryetares së atëhershme të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi.
