Tajlanda kërcënon me pezullim të paktit të armëpushimit me Kamboxhian - NACIONALE

Tajlanda kërcënon me pezullim të paktit të armëpushimit me Kamboxhian

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Tajlanda të hënën kërcënoi me pezullim të marrëveshjes së armëpushimit me Kamboxhian, që ishte ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara. Kryeministri tajlandez tha se të gjitha veprimet që janë pjesë e paktit do të ndërpriten, vetëm disa orë pasi shpërthimi i një mine tokësore në zonën e brishtë kufitare la të lënduar dy ushtarë tajlandezë.

Tajlanda dhe Kamboxhia nënshkruan një marrëveshje armëpushimi në një samit të mbajtur në Malajzi muajin e kaluar, pasi mosmarrëveshjet territoriale mes dy vendeve fqinje të Azisë Juglindore çuan në luftime vdekjeprurëse 5-ditore në fund të korrikut, kur u vranë dhjetëra njerëz, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Kryeministri Anutin Charnvirakul tha se incidenti i së hënës tregon që “armiqësia ndaj sigurisë sonë kombëtare nuk ka pushuar siç kemi menduar”, duke shtuar se të gjitha veprimet që janë pjesë e marrëveshjes do të ndalen derisa të përmbushen kërkesat e Tajlandës.

Ai nuk dha hollësi për kërkesat e vendit të tij dhe nuk pati përgjigje nga Qeveria e Kamboxhias.

Sipas kushteve të armëpushimit, Tajlanda duhet të lirojë 18 ushtarë kamboxhianë që po mbahen në burg dhe të dyja palët do ta fillojë largimin e armëve të rënda dhe minave tokësore nga zona kufitare.

Ushtria Mbretërore Tajlandeze tha se një rreshter e humbi këmbën e djathtë, pasi kishte shkelur në një minë tokësore gjatë patrullimit të hënën përgjatë kufirit në provincën Sisaket, ndërsa një ushtar tjetër pësoi shtrëngim në gjoks nga ndikimi i shpërthimit. Të dy ushtarët po marrin trajtim në spital, thuhet në njoftim.

Lajme të ngjashme