Tajlanda do ta ndërpresë zbatimin e paktit të armëpushimit me Kamboxhian
Qeveria e Tajlandës konfirmoi të martën se do ta ndërpresë zbatimin e një marrëveshjeje armëpushimi me Kamboxhian, të cilën e nënshkroi muajin e kaluar në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe do t’ia shpjegojë vendimin Uashingtonit.
Bangkoku gjithashtu do ta pezullojë planin për lirimin e 18 të të burgosurve kamboxhianë, të cilët tani për tani janë duke u mbajtur nga ushtria tajlandeze, tha para gazetarëve ministri i Mbrojtjes, Natthapohon Narkphanit. Ai refuzoi që t’i përgjigjej pyetjes nëse trupat do të ridislokohen në zonën e kontestuar kufitare, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Tensionet mes dy fqinjëve të Azisë Juglindore, të cilët u përleshën për pesë ditë në korrik, janë përshkallëzuar pas shpërthimit të një mine tokësore të hënën, e cila la të lënduar katër ushtarë tajlandezë.
Ushtria tajlandeze e ka akuzuar Kamboxhian se ka montuar mina të reja tokësore, pasi dy vendet ishin pajtuar për hapat shtesë të armëpushimit, në të cilët përfshiheshin tërheqja e trupave dhe armëve të rënda si dhe lirimi i të burgosurve kamboxhianë nga Tajlanda.
Në një deklaratë të lëshuar të martën, Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias mohoi se kishte montuar mina të reja tokësore dhe i bëri thirrje Tajlandës që t’i shmangte patrullimet në zonat e vjetra të minuara, duke shtuar se është e përkushtuar që të punojë me Bangkokun në vijë me marrëveshjen e tetorit.
Armëpushimi i fuqizuar, i nënshkruar gjatë një samiti rajonal në Malajzi, synon që ta përforcojë armëpushimin e ndërmjetësuar nga Trumpi në korrik. Presidenti amerikan u kishte bërë thirrje udhëheqësve të atëhershëm të të dyja vendeve që t’i ndalnin armiqësitë, në të kundërtën do të ballafaqoheshin me mundësinë e ndërprerjes së bisedimeve tregtare me Uashingtonin.
Të dyja palët e kanë fajësuar njëra-tjetrën për fillimin e luftimeve me raketa e artileri të rëndë, me ç’rast u vranë të paktën 48 njerëz dhe u shpërngulën përkohësisht rreth 300 mijë të tjerë.
Kryediplomati i Tajlandës, Sihasak Phuangketkeow, tha se vendimi i vendit të tij do t’u shpjegohet Shteteve të Bashkuara dhe Malajzisë, vend që e udhëheq bllokun rajonal ASEAN, i cili e ka lehtësuar procesin e armëpushimit./Nacionale