Super-tajfuni “Ragasa” arri në Filipine me erë prej 230 kilometrash në orë
Mijëra njerëz janë evakuuar në Filipine për shkak të arritjes së një super-tajfuni të përshkruar nga autoritetet si potencialisht “katastrofik”, i cili pritet ta godasë rajonin verior të vendit.
Super-tajfuni “Ragasa”, i shoqëruar me erë me shpejtësi prej 230 kilometrash në orë, arriti në territor tokësor në Ishullin Panuitan të provincës veriore Cagayan, në orën 15:00 sispas kohës lokale të hënën, tha autoriteti i motit. Stuhia pritet të vazhdojë në perëndim drejt Kinës, raporton televizioni BBC.
Ky tajfun sjell “rrezik të lartë për stuhi valësh që e rrezikojnë jetën” me lartësi mbi tri metra, tha byroja filipinase e motit.
Autoritetet kanë paralajmëruar për vërshime të gjera e rrëshqitje dheu si dhe dëme ndaj shtëpive dhe infrastrukturës.
Autoritetet i kanë mbyllur shkollat dhe zyrat qeveritare në pjesë të mëdha të vendit, përfshirë kryeqytetin Manila.
Ishujt e largët Batanes ose Babuyan, ku tajfuni arriti në territor tokësor, shërbejnë si vendbanim për rreth 20 mijë njerëz, shumë prej të cilëve jetojnë në varfëri.
Këta ishuj shtrihen rreth 740 kilometra larg Tajvanit, ku gati 300 njerëz janë evakuuar nga Hualieni, distrikt në pjesën lindore.
Tajfuni “Ragasa” nuk pritet që ta godasë Tajvanin drejtpërdrejt, por parashikohet shi i dendur në bregdetin lindor të ishullit./Nacionale