Sulmi vdekjeprurës në Rafah, Këshilli i Sigurimit thërret mbledhje urgjente - NACIONALE

Sulmi vdekjeprurës në Rafah, Këshilli i Sigurimit thërret mbledhje urgjente

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të martën për të diskutuar rreth gjendjes në qytetin Rafah të Gazës pas një sulmi ajror izraelit që la 45 civilë palestinezë të vrarë e 200 të plagosur. Ata po strehoheshin në një kam refugjatësh.

Drejtori i agjencisë humanitare të OKB-së, Martin Griffiths, e quajti sulmin “krejtësisht të papranueshëm” dhe e kritikoi shpjegimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se ajo që ndodhi në Rafah ishte “gabim tragjik”, raporton shërbimi i “Zërit të Amerikës” në gjuhën angleze.

“Se a ishte sulmi krim lufte apo “gabim tragjik”, për popullin e Gazës nuk ka debat. Ajo që ndodhi mbrëmë ishte urrejtja më e re – dhe me gjasë më mizorja. Ta quash atë “gabim”, është një porosi që nuk do të thotë asgjë për të vrarët, për ata që janë në zi dhe për ata që po mundohen të shpëtojnë jetë” – tha zyrtari i OKB-së.

Griffiths-i tha se Kombet e Bashkuara “kishin paralajmëruar se një operacion ushtarak në Rafah do të çonte në masakër” dhe shtoi se nuk ka zona të sigurta ose zona humanitare në Gaza.

Izraeli tha se vrau dy militantë të lartë të Hamasit përmes sulmit.

“Pavarësisht nga përpjekja jonë më e mirë për të mos i lënduar ata që nuk janë të përfshirë, fatkeqësisht një gabim tragjik ndodhi mbrëmë. Ne jemi duke e hetuar rastin” – tha Netanyahu para deputetëve izraelitë.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se sulmi shkaktoi një zjarr në tenda në zonën e personave të zhvendosur. Në anën tjetër, ushtria izraelite tha se ky ishte sulm preciz ajror që e la të vrarë komandantin e Hamasit për Bregun Perëndimor, Yassin Rabia.

Ministria e Jashtme e Katarit tha të hënën se sulmi në Rafah mund t’i ndërlikojë përpjekjet për të ndërmjetësuar në bisedimet e ngecura për armëpushim dhe për kthimin e pengjeve izraelite që po mbahen ende në Gaza.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se është i indinjuar nga sulmet izraelite në Rafah dhe bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm e respektim të plotë të së drejtës ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme