Sulmi terrorist në Moskë: Prokuroria i akuzon katër të dyshuar
Prokuroria ruse ka ngritur aktakuzë ndaj katër burrave të cilët i akuzon për kryerjen e sulmit në një sallë koncertesh pranë Moskës dhe vrasjen e së paku 137 njerëzve më 22 mars.
Më 24 mars, një gjykatë në Moskë ua caktoi masën e paraburgimit me kohëzgjatje dy muaj katër të akuzuarve për terrorizëm në lidhje me sulmin ndaj sallës së koncerteve pranë Moskës.
Gjykata i zbuloi emrat e të dyshuarave si Murodali Rajabalizoda, Dalerjon Mirzoev, Muhammadsobir Faizov dhe Faridun Shamsiddin, dhe tha se ata janë shtetas të Taxhikistanit.
Tre prej tyre, Mirzoev, Rajabalizoda, dhe Shamsidin, e pranuan fajin për të gjitha akuzat, sipas gjykatës.
Faizov u soll para gjykatës më 24 mars drejtpërdrejt nga spitali me një karrocë dhe qëndroi ulur me sy mbyllur gjatë gjithë seancës, raportoi Associated Press. Ai kishte shumë plagë dhe mbikëqyrej nga mjekët edhe në sallë të gjyqit. /REL