Sulmi masiv ajror rus ndez ndërtesën kryesore të qeverisë ukrainase dhe lë tre të vdekur
Sulmi ajror më i madh gjatë natës nga Rusia që prej fillimit të luftës ka vënë në zjarr ndërtesën kryesore të qeverisë ukrainase në Kiev dhe ka lënë tre persona të vdekur, përfshirë një foshnje, raportuan mediat ndërkombëtare.
Rusia goditi kryeqytetin e Ukrainës me dronë dhe raketa, duke plagosur 18 persona dhe duke shkaktuar zjarre në dhjetëra ndërtesa.
Një shtyllë tymi u pa duke u ngritur nga çatia e ndërtesës së kabinetit të ministrave në Kiev, megjithëse nuk ishte menjëherë e qartë nëse tymi ishte rezultat i mbetjeve apo i një goditjeje të drejtpërdrejta, gjë që do të shënonte një përshkallëzim në fushatën ajrore të Rusisë.
Deri tani, Rusia kishte shmangur goditjen e ndërtesave qeveritare në qendër të qytetit.
Ndërtesa është selia e kabinetit të Ukrainës, ku ndodhen zyrat e ministrave.
“Për herë të parë, ndërtesa e qeverisë u dëmtua nga një sulm armik, përfshirë çatinë dhe katet e sipërme,” tha kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko. “Ne do t’i rikthejmë ndërtesat, por jetët e humbura nuk mund të kthehen.”
Sulmi i Rusisë gjatë natës përfshinte 805 dronë dhe mjete mashtruese, raportoi The Guardian. Yuriy Ihnat, një zëdhënës i forcave ajrore të Ukrainës, konfirmoi për Associated Press se sulmi i së dielës ishte sulmi më i madh me dronë nga Rusia që prej pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.