Sulmet ajrore ruse nuk e ndalin luftën e ukrainasve në tokë, zhvillimet më të rëndësishme të ditës së 33-të - NACIONALE

Sulmet ajrore ruse nuk e ndalin luftën e ukrainasve në tokë, zhvillimet më të rëndësishme të ditës së 33-të

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmet ruse me raketa ndaj depove të naftës e ndërtesave në Ukrainë nuk ndaluan as sot, por duket se në terren forcat ukrainase po luftojnë ashpër duke rimarrë nën kontrollë disa zona të pushtura nga rusët. E ndërkohë që është dakorduar për fillimin e bisedimeve të paqes mes dy vendeve, të cilat do të mbahen neser në Stamboll - Zelensky është treguar i gatshëm për një status neutral duke bërë thirrje vazhdimisht për një takim ballë për ballë me Putinin.

Të përmbledhura nga Gazeta Nacionale më poshtë i gjeni disa nga zhvillimet kyçe të ditës në luftën Rusi-Ukrainë.

Bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë do të fillojnë ballë për ballë të martën në Turqi. Negociatorët nga të dyja vendet kanë mbërritur në Stamboll, ndërsa janë shprehur se nuk presin ndonjë përparim të madh. Ndërkohë, një zyrtar i lartë amerikan ka thënë se Vladimir Putin nuk duket se është gati të bëjë kompromis.

Forcat ukrainase kanë marrë përsëri kontrollin e plotë të qyteti Irpin, i cili ndodhet vetëm disa milje larg Kievit. Kryetari i qytetit, Oleksandr Markushyn tha se Irpin ishte "çliruar" dhe se ushtarët rusë po "dorëzoheshin". Ndërkohë një zyrtar i lartë i Mbrojtjes amerikane, ka thënë se forcat ukrainase kanë rimarrë qytetin e Trostyanets pranë Sumy në Ukrainën lindore dhe janë duke punuar për të larguar forcat ruse nga jugu i Khersonit.

Miliarderi Roman Abramovich dhe një negociator ukrainas kanë pësuar simptoma të ngjashme me helmimin në fillim të këtij muaji, sipas Wall Street Journal. Bisedimet ishin mbajtur në fillim të muajit mars, dhe pjesë e negociatave ishte edhe deputeti ukrainas Rustem Umerov.

Ushtarët rusë që pushtuan vendin e katastrofës bërthamore të Çernobilit kanë kaluar të pambrojtur nëpër një zonë shumë toksike të quajtur "Pylli i Kuq", duke ngritur retë e pluhurit radioaktiv, thanë punëtorët e Çernobilit për Reuters. Dy burimet janë shprehutR se kanë parë tanke ruse dhe automjete të tjera të blinduara që lëviznin nëpër Pyllin e Kuq, i cili është pjesa më e ndotur radioaktive e zonës rreth Çernobilit.

Pothuajse 5,000 njerëz, duke përfshirë rreth 210 fëmijë, janë vrarë në qytetin e shkatërruar të Mariupolit që kur Rusia pushtoi Ukrainën muajin e kaluar, kështu ka deklaruar një zëdhënës i kryetarit te qytetit..

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, Oleksander Motuzyanyk, në një konferencë të mbajtur është shprehur se Kievi nuk po sheh asnjë shenjë në terren se Rusia është duke hequr dorë nga planet për marrjen e kryeqytetit ukrainas.

Ministrja e Ekonomisë së Ukrainës, Yulia Svyrydenko, tha se lufta deri më tani i ka kushtuar Ukrainës 564.9 miliardë dollarë, për sa i përket dëmtimit të infrastrukturës, humbjes së rritjes ekonomike dhe faktorëve të tjerë. Ajo bëri të ditur se si rezultat i luftimeve deri më tani janë shkatërruar 8 mijë kilometra rrugë.

Presidenti Zelenskiy ka akuzuar autoritetet ruse për mungesë respekti ndaj familjeve të ushtarëve të tyre të vdekur. Duke kritikuar Moskën për mos tërheqjen e trupave të vdekur, Zelenskiy tha se Kremlini po u jepte më pak respekt atyre që u vranë gjatë pushtimit të Ukrainës sesa zakonisht u jepet kafshëve shtëpiake të ngordhura.

Novaya Gazeta, një nga mediat e fundit të lajmeve të pavarura në Rusi, ka thënë se do të pezullojë operacionet pasi mori një paralajmërim të dytë nga censura shtetërore për gjoja shkelje të ligjit për "agjentët e huaj" të vendit. Paralajmërimi erdhi një ditë pasi kryeredaktori i gazetës, Dmitry Muratov, foli me Zelenskiyn në një intervistë në grup me gazetarë të tjerë rusë, transmetimi i së cilës u ndalua shpejt nga mbikëqyrësi shtetëror i medias, Roskomnadzor.

Pamjet video që pretendojnë të tregojnë torturimin e robërve rusë të luftës po hetohen nga qeveria ukrainase. Video e shpërndarë e cila nuk është verifikuar ende, shfaq ushtarët ukrainas duke nxjerrë tre rusë nga një furgon e më pas duke i qëlluar në këmbë.

Ndërkohë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden tha se s'do të kërkojë falje për komentet e tij "për regjimin" në Rusi. Por, ai sqaroi se nuk e kishte fjalën për një ndryshim pushteti duke e përshkruar deklaratën e tij si një reagim moral, për të cilin s'ka nevojë të kërkojë falje.

Lajme të ngjashme