Sulmet ajrore izraelite lënë 11 palestinezë të vrarë në Qytetin Gaza - NACIONALE

Sulmet ajrore izraelite lënë 11 palestinezë të vrarë në Qytetin Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmet ajrore izraelite lanë të vrarë 11 palestinezë në Qytetin Gaza të enjten, thanë mjekët, ndërsa forcat izraelite dërguan tanke në Jabalia në veri, ku palestinezët dhe zyrtarë të Kombeve të Bashkuara shprehën alarm për mungesën e ushqimit dhe ilaçeve.

Banorët e qytetit Jabalia thanë se forcat izraelite hodhën në erë grumbuj të shtëpive nga ajri, me predha tankesh dhe duke vendosur bomba në ndërtesa para se t’i aktivizonin ato nga largësia. Shërbimi civil i emergjencës në Gaza tha se kishte evakuuar disa persona të lënduar nga një shkollë ku po strehohen palestinezë të zhvendosur, që ishte kapluar nga zjarri, pasi ishte goditur nga predhat e tankeve izraelite, raporton agjencia “Reuters”.

Banorët thanë se forcat izraelite praktikisht i kishin izoluar Beit Hanoun-in, Jabalia-n dhe Beit Lahiya-n në skajin verior të enklavës nga Qyteti Gaza, duke e bllokuar lëvizjen, me përjashtim të familjeve që kishin leje për t’i zbatuar urdhrat e evakuimit dhe për t’u larguar nga tri qytezat.

Të mërkurën, ushtria izraelite tha se kishte vrarë më shumë se 50 luftëtarë palestinezë gjatë ditëve të fundit përmes sulmeve ajrore dhe luftimeve nga afërsia, përderisa trupat po mundohen që t’i çrrënjosin forcat militante të Hamasit që operojnë si forca guerile në rrënoja.

Në një përditësim të enjten, ushtria izraelite tha se kishte “eliminuar” militantë, kishte shkatërruar infrastrukturë dhe kishte kapur armë në Rafah, në jug, dhe ishte duke operuar në pjesën qendrore të Gazës, por nuk e përmendi veriun.

Shtetet e Bashkuara i kanë thënë Izraelit se duhet të bëjë hapa për ta përmirësuar situatën humanitare në pjesën veriore të Gazës brenda 30 ditëve, në të kundërtën rrezikon që të ballafaqohet me kufizim të ndihmave ushtarake nga Uashingtoni.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të mërkurën thirri një takim urgjent për ta diskutuar zgjerimin e ndihmave humanitare në Gaza, thanë tre zyrtarë që morën pjesë në takim./Nacionale

Lajme të ngjashme