Sulme izraelite në Damask të Sirisë, raportohet për disa të vrarë - NACIONALE

Sulme izraelite në Damask të Sirisë, raportohet për disa të vrarë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Disa njerëz u vranë dhe disa të tjerë u lënduan nga sulmet izraelite të enjten ndaj dy ndërtesave të banimit në periferi të kryeqytetit sirian, Damask, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, SANA.

Njëra ndërtesë ndodhej në periferinë Mazzeh dhe tjetra në Qudsaya, në perëndim të kryeqytetit, përcjell agjencia e lajmeve “Reuters”.

Radioja ushtarake izraelite tha se në shënjestër të sulmit në Damask ishin një seli e grupit militant palestinez, Xhihadi Islami, dhe ato që i përshkroi si asete të tjera, pa dhënë hollësi.

Izraeli ka kryer sulme kundër caqeve të lidhura me Iranin në Siri me vite, por i ka shtuar këto veprime që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar ndaj territorit izraelit, që do ta nxiste luftën në Gaza.

Ka qenë e ditur se komandantë të Hezbollahut dhe të Rojave Revolucionare të Iranit me bazë në Siri jetojnë në Mazzeh, sipas banorëve që janë larguar pas sulmeve të fundit, nga të cilat mbetën të vrara disa figura kyçe të këtyre grupeve.

Blloqet shumëkatëshe në Mazzeh janë përdorur nga autoritetet në të kaluarën për të strehuar udhëheqës të fraksioneve palestineze, përfshirë Hamasin e Xhihadin Islam.

Lajme të ngjashme