Sulm rus me dron në Sumy të Ukrainës, raportohet për katër të vrarë - NACIONALE

Sulm rus me dron në Sumy të Ukrainës, raportohet për katër të vrarë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Një dron rus goditi një ndërtesë shumëkatëshe të banimit në qytetin verilindor ukrainas, Sumy, të enjten herët, duke vrarë katër njerëz e duke plagosur nëntë të tjerë, përfshirë një fëmijë, thanë autoritetet rajonale.

Guvernatori Volodymyr Aryukh, i shfaqur në një video në rrjetin “Telegram” përballë një vinçi dhe rrënojave, tha se shërbimet urgjente ishin duke nxjerrë banorë nga pjesët e ndërtesës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Nga sulmi u shkatërruan pesë banesa dhe u dëmtuan më shumë se 20 vetura, thanë autoritetet. Puna në vendin e ngjarjes vazhdoi deri të enjten në mëngjes. Shërbimet emergjente publikuan fotografi të punëtorëve të tyre duke kërkuar në rrënoja.

Rajoni Sumy kufizohet me rajonin Kursk të Rusisë, ku Ukraina nisi një operacion në gushtin e vitit të kaluar, dhe rregullisht sulmohet nga dronët rusë.

Rusia mohon se vë në shënjestër qëllimisht civilë, por mijëra të tillë janë vrarë dhe janë plagosur që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.

Lajme të ngjashme