Sulm nga militantët, raportohet për të paktën 40 fermerë të vrarë në Nigeri
Militantë të dyshimtë islamikë vranë 40 fermerë gjatë një sulmi ndaj komunitetit Dumba në shtetin Borno të Nigerisë të dielën, tha një zyrtar i lartë shtetëror të hënën.
Sipas raportimeve fillestare, fermerët kishin dalë nga një korridor i sigurisë i vendosur nga ushtria, duke hyrë në një zonë të njohur për aktivitete të kryengritësve dhe të mbushur me mina tokësore, tha Usman Tar, komisionar shtetëror për informim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Besohet se militantët i përkisnin grupit Boko Haram dhe degës së tij, Provinca e Shtetit Islam të Afrikës Perëndimore, të cilët kanë qenë duke zhvilluar një kryengritje të gjatë në pjesën verilindore të Nigerisë.
Komisionari Tar shtoi se forcat e sigurisë ishin duke kërkuar për ndonjë fermer që mund t’i kishte ikur sulmit.