Sulm në Bregun Perëndimor, vriten dy e plagosen tetë ushtarë izraelitë - NACIONALE

Sulm në Bregun Perëndimor, vriten dy e plagosen tetë ushtarë izraelitë

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Një palestinez i armatosur arriti të infiltrohej në një pikë ushtarake të kontrollit në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të martën, duke hapur zjarr e duke vrarë dy ushtarë izraelitë dhe duke plagosur tetë të tjerë para se të vritej, tha ushtria izraelite.

Sulmi ndodhi në pikën e kontrollit Taysir, afër fshatit palestinez me të njëjtin emër. Pika e kontrollit ndodhet në një rrugë që kalon nga Ultësira e Jordanit drejt këtij fshati dhe drejt qytezave të tjera palestineze, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Ushtarët e vrarë u identifikuan si Rreshter Major (rezervisht) Ofer Yung, 39 vjeç, nga Tel-Avivi, dhe Rreshter Major (rezervist) Avraham Tzvi Tzvika Friedman, 43 vjeç, nga Ein HaNatzivi.

Të dy ishin pjesë e Batalionit të 8211-të Rezervë të Brigadës Rajonale “Ephraim”. Yungi ishte komandant skuadre.

Sipas një hetimi fillestar të ushtrisë izraelite, i armatosuri arriti të përvidhej deri te një pozicion ushtarak në pikën e kontrollit, ku hapi zjarr drejt trupave pak para orës 6 të mëngjesit.

Kompleksi afër pikës së kontrollit përfshin një kullë vrojtimi dhe disa struktura dhe në të ndodhet një skuadër prej 11 ushtarësh e një komandanti./Nacionale

Lajme të ngjashme