Sulm me veturë në Tel Aviv, mbytet një person e lëndohen shtatë
Një turist italian është vrarë dhe shtatë të tjerë janë lënduar nga një sulm i dyshimtë me veturë afër një plazhi në Tel Aviv të Izraelit, thanë mjekët izraelitë.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, tha se Izraeli e ka identifikuar burrin e vrarë si Alessandro Parini, shtetas italian, raporton televizioni BBC.
Në pamje shihet një veturë e rrokullisur afër një shëtitoreje dhe një polic izraelit duke hapur zjarr. Policia tha se sulmuesi i dyshuar është qëlluar për vdekje.
Sulmi ndodhi pas vrasjes së dy motrave izraelito-britanike dhe plagosjes së nënës së tyre gjatë të shtënave në Bregun e pushtuar Perëndimor të premten.
Policia në Tel Aviv tha se në orën 21 e 25 minuta të premten, një burrë 45-vjeçar drejtoi një veturë të prodhuesit “Kia” nëpër shëtitoren pranë plazhit të qytetit, duke goditur disa këmbësorë para se automjeti të rrokullisej.
Në njoftim thuhet se një polic, i cili ndodhej në në pombë benzine, e pa rrëmujën dhe, pasi vrapoi drejt vendit të ngjarjes, e pa drejtuesin e veturës që po “mundohej të kapte një objekt që dukej si pushkë dhe që ishte me të” e pastaj “e neutralizoi atë”.
Shërbimi ambulantor izraelit tha se, përpos autorit, gjithsej tetë persona të tjerë pësuan nga ky sulm dhe se të gjithë ishin turistë.
Nga të lënduarit, tre kanë pësuar lëndime mesatare, ndërsa katër vetëm lëndime të lehta, tha ky shërbim.

