Sulm me armë në Chicago të ShBA-së, katër të vrarë e 14 të plagosur
Katër njerëz kanë vdekur nga të shtënat dhe 14 të tjerë janë dërguar në spitale pas një sulmi me armë nga një veturë në lëvizje në Chicago, tha të enjten policia amerikane. Të paktën tre prej të plagosurve ishin në gjendje kritike.
Të shtënat ndodhën të mërkurën vonë në lagjen Lumi Verior në Chicago. Disa media thanë se ngjarja ndodhi jashtë një restoranti ku po mbahej një ndejë për publikimin e një albumi të një reperi, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Dikush hapi zjarr në drejtim të turmës së njerëzve që po qëndronin jashtë, tha policia, dhe automjeti u largua menjëherë.
Polica tha se asnjë person nuk është në ndalim.
Sipas të dhënave preliminare të policisë, 13 gra e pesë burra të moshave 21 deri 32-vjeçare u qëlluan me armë, ndërsa të vdekur mbetën dy burra e dy gra. Të plagosurit u dërguan në disa spitale, tha policia.
Chris King, zëdhënës i organeve shëndetësore, tha se departamenti i urgjencës ishte duke e vlerësuar gjendjen e disa të plagosurve nga të shtënat. Ai nuk mundi të ofronte ndonjë numër të njerëzve që janë dërguar në spital ose të tregonte për gjendjen e tyre./Nacionale