Sulm i rëndë rus në një burg ukrainas, raportohet për 16 të vrarë e dhjetëra të plagosur
Nga sulmet ruse gjatë natës në rajonin Zaporizhia, në juglindje të Ukrainës, u vranë 16 dhe u plagosën 35 njerëz në një qendër korrektuese, thanë zyrtarët lokalë.
Duke shkruar në rrjetin “Telegram”, guvernatori Ivan Federov tha se ndërtesat e kësaj qendre ishin shkatërruar, ndërsa disa shtëpi afër saj kishin pësuar dëme, raporton gazeta “The Guardian”.
Katër njerëz të tjerë u vranë dhe disa u plagosën nga sulmet në rajonin Dnipropetrovsk, sipas zyrtarëve të qeverisë rajonale.
Numri i viktimave e bën këtë prej sulmeve më vdekjeprurëse në Ukrainë muajve të fundit.
Forcat ruse e kanë sulmuar rregullisht Zaporizhian, duke përdorur dronë, raketa e bomba ajrore, që nga fillimi i luftës së plotë në shkurt të vitit 2022.
Federovi tha se forcat ruse kryen tetë sulme në distriktin e Zaporizhias, duke përdorur në mënyrë të përsëritur bomba shpërthyese ajrore.