Suedia thotë se Irani ka ekzekutuar një shtetas suedez - NACIONALE

Suedia thotë se Irani ka ekzekutuar një shtetas suedez

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Irani të mërkurën ekzekutoi një shtetas suedez, tha ministrja e Jashtme e Suedisë, Maria Malmer Stenergard, duke shtuar se e kishte thirrur në takim ambasadorin iranian në Stokholm për ta dënuar vendimin.

Personi i ekzekutuar, emri i të cilit nuk u publikua, ishte arrestuar në Iran në qershorin e vitit të kaluar dhe Suedia në mënyrë të përsëritur e kishte ngritur rastin me zyrtarë iranianë, tha kryediplomatja suedeze, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Dënimi me vdekje është ndëshkim çnjerëzor, mizor dhe i pakthyeshëm. Suedia, së bashku me pjesën tjetër të BE-së, e dënon zbatimin e tij në të gjitha rrethanat” – deklaroi ministrja Stenergard.

“Ne menjëherë e kontaktuam Teheranin, natyrisht, dhe unë u mundova që të organizoja një takim me homologun tim për të kërkuar nga ai që menjëherë të pezullohej ekzekutimi, por, fatkeqësisht, ai nuk ishte i qasshëm” – i tha zonja Stenergard agjencisë së lajmeve AFP.

Sipas saj, procedurat ligjore që i paraprinë ekzekutimit nuk i plotësuan standardet e një procesi të rregullt.

Ministria e Jashtme e Suedisë dhe Ambasada e Iranit në Stokholm nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment, kur u kontaktuan nga agjencia “Reuters” përmes telefonit dhe postës elektronike./Nacionale

Lajme të ngjashme