Suedia miraton zyrtarisht projektligjin e anëtarësimit në NATO
Parlamenti i Suedisë ka miratuar zyrtarisht një projektligj që lejon vendin të anëtarësohet në NATO.
Ligjvënësit në Riksdagen me 349 vende kanë votuar me 296 vota pro dhe 37 vota kundër - për pranimin e Suedisë në NATO, me 43 anëtarë të munguar.
Ministri i Jashtëm i vendit Tobias Billstrom gjatë debatit gati shtatë-orësh, është shprehur se anëtarësimi në NATO "është mënyra më e mirë për të mbrojtur sigurinë e Suedisë".
Ai e ka quajtur miratimin "një ngjarje historike" dhe "një nga vendimet më të rëndësishme të politikës së sigurisë ndonjëherë për vendin".
Kujtojmë se Suedia dhe fqinji i saj Finlanda aplikuan për t'u bashkuar me NATO-n në maj 2022, duke braktisur dekada të mos-angazhimit në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.
Megjithatë, ky proces është penguar nga Turqia, e cila së bashku me Hungarinë ende nuk i kanë ratifikuar anëtarësimet. Në veçanti është Suedia ajo që është përballur me kundërshtime nga Turqia, e cila thotë se Stokholmi strehon anëtarë të atyre që Turqia i konsideron grupe terroriste - një akuzë që Suedia e mohon.
Ndërkohë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, javën e kaluar ka njoftuar se qeveria e tij do të ecë përpara me ratifikimin e aplikimit të Finlandës, duke i hapur rrugën vendit për t'u bashkuar me aleancën përpara Suedisë, ndërsa sa i përketë Suedisë, ai ka thënë se vendi ende duhet të zgjidhë shqetësimet që ka Turqia.
