Suedia goditet nga katër shpërthime për një orë
Ekspertët kundër bombave janë aktivizuar, pasi disa qytete suedeze u goditën nga katër shpërthime për një orë, njoftoi policia e këtij vendi. Suedia po ballafaqohet me shtim të dhunës së ndërlidhur me banda.
Pak pas orës 1 të natës, policia në Gothenburg pranoi raportime për dy shpërthime në adresa të ndryshme, me dhjetë minuta dallim mes vete, raporton gazeta “The Guardian”.
“Të dyja vendet janë rrethuar dhe hetimet teknike janë duke vazhduar”- tha policia, duke shtuar se ekipi kombëtar kundër bombave është ftuar që të shkojë në vend të ngjarjes. “Nuk ka raportime për persona të lënduar, vetëm dëm material”- tha policia.
Një orë më vonë, u raportua për dy shpërthime të tjera, disa minuta dallim mes tyre: një në Norsborg, në jug të Stokholmit, dhe një tjetër në Nykoping, rreth 100 kilometra në jug të kryeqytetit.
Në të dyja rastet, policia tha se askush nuk është lënduar. Të gjitha shpërthimet ndodhën në ndërtesa banimi.
Suedia po mundohet që ta frenojë shtimin e rasteve me të shtëna e shpërthime viteve të fundit, përderisa bandat po i hakmerren njëra-tjetrës, të nxitura nga tregtia me drogë.
Policia në Gothenburg i tha agjencisë AFP se ishte shumë herët për të spekuluar rreth motivit të dy shpërthimeve në këtë qytet.
Vitin e kaluar, në Suedi u regjistruan 90 shpërthime e 101 raste të bombardimeve në tentativë ose përgatitjeve për bombardime, sipas të dhënave të policisë. Deri më 15 gusht të këtij viti, 109 shpërthime janë regjistruar në mbarë vendin.
