Stuhia “Boris” e godet veriun e Italisë, shkakton vërshime e rrëshqitje dheu
Banorët e disa shtëpive po evakuohen në rajonin verior Italian, Emilia-Romagna, përderisa stuhia “Boris”, që ka lënë të paktën 24 të vdekur në pjesët qendrore dhe lindore të Evropës, e përfshiu vendin, duke shkaktuar vërshime e rrëshqitje dheu.
Reshjet e dendura të shiut e përfshinë rajonin Emilia-Romagna të mërkurën pasdite dhe gjendja u përkeqësua shpejt me rënien e natës, raporton gazeta “The Guardian”.
Jader Dardi, kryetar i qytezës Modigliana në provincën Forli-Cesena, që gjithashtu ishte prekur rëndë nga vërshimet e vitit të kaluar, tha se lumi kishte “shpërthyer”.
“Situata është shumë dramatike. Është më keq se më 2023” – i tha ai televizionit Sky TG 24.
Uji u grumbullua poshtë, duke shkaktuar vërshime në fshatin Marzeno në Brisighella.
“Një valë e papritur dhe e madhe është duke arritur nga Modigliana, duke kaluar nëpër fshatin Marzeno” – thuhet në një mesazh në faqen e komunës në rrjete sociale, ku u bëhet thirrje banorëve të zonave të prekura që të evakuohen. Në shkrim thuhet se të zhvendosurit do të akomodohen në një shkollë.
Fenomeni di questa intensità saranno sempre più frequenti: oggi tocca di nuovo all’Emilia-Romagna, con situazioni particolarmente difficili in alcune zone appenniniche e verso la costa. Piove ininterrottamente da ore e continuerà ancorapic.twitter.com/Mt4DJ4ll5t
— Bruno Simili (@bruno_simili) September 18, 2024
“Situata po bëhet më e keqe dhe po përkeqësohet më shpejt. Niveli i lumit është duke u vëzhguar vazhdimisht dhe ka arritur në 6,19 metra në Tebano. Zjarrfikësit dhe policia lokale janë mobilizuar dhe do të përdorin altoparlantë për t’i paralajmëruar qytetarët për situatën serioze që jemi duke e përjetuar” – thuhet në njoftim.
Lumi Sabena në Bolonjë gjithashtu po shënonte rritje të nivelit të ujit, sipas paralajmërimit të autoriteteve rajonale. Zyrtarët kanë dhënë urdhër për evakuimin e bodrumeve dhe shtëpive njëkatëshe në zonat e prekura.
Disa rrugë gjithashtu janë bllokuar për shkak të rrëshqitjes së dheut.
Në maj të vitit 2023, vërshimet në Emilia-Romagna kishte shkaktuar 17 viktima dhe dëme materiale në vlerë të 8,5 miliardë eurove.