Stuhia “Bora” shkakton vërshime në ishullin grek Rhodes
Shiu i dendur shkaktoi të dielën vërshim të shtëpive, bizneseve dhe rrugëve në ishullin e popullarizuar grek për turistë, Rhodes, duke i detyruar autoritetet që përkohësisht ta ndalonin përdorimin e automjeteve, përderisa stuhia “Bora” e goditi vendin për ditën e dytë rresht.
Të shtunën, një burrë vdiq nga vërshimet që goditën një ishull tjetër grek në Egjeun verior, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zjarrfikësit pranuan më shumë se 650 telefonata për të larguar ujë nga ndërtesat e vërshuara në ishullin Rhodes dhe evakuuan 80 njerëz në zona më të sigurta. Qyteti Ialysos u godit më së shumti, por nuk u raportua për njerëz të lënduar.
Disa vetura dhe mbetje u grumbulluan njëra mbi tjetrën në rrugët e vërshuara në Rhodes, ndërsa banorët po mundoheshin që ta largonin baltën nga pronat e tyre.
Zëdhënësi i brigadës së zjarrfikësve, Vassailis Varthakogiannis, i tha televizionit grek SKAI TV se moti i lig do të vazhdonte edhe të hënën.
Shteti mesdhetar është goditur nga vërshimet e zjarret në natyrë viteve të fundit. Shkencëtarët thonë se Greqia është bërë “pikë e nxehtë” për ndryshimet klimatike.
“Kushtet viteve të fundit janë ndryshe; kemi reshje të papritura shiu dhe vërshime të papritura” – tha zëdhënësi i zjarrfikësve.
Vitin e kaluar, më shumë se 20 mijë turistë e banorë lokalë u detyruan që të largoheshin nga shtëpitë dhe hotelet bregdetare për shkak të zjarreve në natyrë që zgjatën disa ditë.
Stuhia dhe shiu i dendur gjithashtu e penguan shërbimin e trenave në territorin kryesor të Greqisë, sidomos në pjesët qendrore dhe veriore të vendit./Nacionale