Stuhi e fuqishme në lindje të ShBA-së, vdesin dy të rinj - NACIONALE

Stuhi e fuqishme në lindje të ShBA-së, vdesin dy të rinj

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Së paku dy persona vdiqën, mijëra fluturime në ShBA u anuluan ose u shtynë dhe mbi 1,1 milion shtëpi dhe biznese mbetën pa energji elektrike të hënën, përderisa pjesa lindore e Shteteve të Bashkuara u prek nga një stuhi e ashpër, e cila u përcoll me breshër e rrufe.

Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi një paralajmërim për tornado për rajonin e Uashingtonit, që zgjati deri në orën 21. Në një deklaratë të posaçme të këtij shërbimi u paralajmërua: “Ekziston rrezik i konsiderueshëm për erë dëmtuese e lokalisht shkatërruese me forcë të uraganit, bashkë me potencialin për breshër e tornado të mëdha, madje tornado të fuqishme.”

Shpërndarja e stuhisë ishte masive. Paralajmërime për tornado u lëshuan në dhjetë shtete të ShBA-së, nga Tennessee në Nju Jork. Shërbimi Kombëtar i Motit tha se mbi 29,5 milionë njerëz ishin nën paralajmërimet për tornado të hënën pasdite, raporton agjencia “Associated Press”.

Në Anderson të Karolinës së Jugut, një djalë 15-vjeçar, i cili kishte shkuar në shtëpinë e gjyshërve gjatë stuhisë, u godit dhe vdiq, kur një dru ra mbi të përderisa po dilte nga vetura, sipas një zyrtari lokal të mjekësisë ligjore.

Në Florence të Alabama-s, policia tha se një burrë 28-vjeçar u godit nga rrufeja dhe vdiq, sipas raportimit të televizionit WAAY-TV.

Deri të hënën në mbrëmje, mbi dy mijë e gjashtëqind fluturime në ShBA ishin anuluar dhe gati shtatë mijë e nëntëqind të tjera ishin shtyrë, sipas shërbimit për përcjelljen e fluturimeve, “FlightAware”.

Administrata Federale e Aviacionit tha se ishte duke ua ndryshuar drejtimin aeroplanëve përreth zonave të stuhisë që ishte nisur drejt shteteve amerikane të bregdetit lindor.

Drurët dhe linjat e energjisë elektrike janë rrëzuar në shumë shtete të ShBA-së, duke rënë rrugëve e mbi disa shtëpi, sipas raportimeve të mediave.

Lajme të ngjashme