Stuhi e fuqishme në Gjermani me vërshime e rrëzim drurësh
Stuhia “Zoltan” e ka përfshirë Gjermaninë, sidomos pjesën veriore të vendit. Qarkullimi i trenave është paralizuar, ndërsa raportohet se një burrë është mbytur në një lumë në Thuringia.
Sipas Shërbimit Gjerman të Motit, pritet që era të bëhet më e dobët gjatë ditës, por do të ashpërsohet në masë të konsiderueshme përsëri në mbrëmje, raporton gazeta “Bild”.
Stuhia mund t’i prishë planet e udhëtimeve për Krishtlindje për shumë udhëtarë. Sipas të dhënave fillestare, trenat e linjave të gjata mes Hamburgut e Hanoverit, Kaseel e Frankfurt - Shtutgart - Bazel si dhe Wurzburg e Mynih do të anulohen të premten.
Raportohet për vonesa e anulime të izoluara të udhëtimeve edhe në linjat Berlin - Leipzig - Enfurt dhe Frankfurt.
Në Hamburg, tregu i peshkut u vërshua nga uji të enjten, siç shihet edhe në një fotografi të publikuar në tabloidin e njohur gjerman.
Në Fahrdorf, një person u lëndua seriozisht të enjten në mbrëmje, pasi vetura e tij u përplas në një dru që ishte rrëzuar në rrugë për shkak të stuhisë.
Në zonë Elbe të Hamburgut, policia paralajmëroi për një stuhi të ashpër në mëngjes. Sipas Agjencisë Federale Detare dhe të Hidrologjisë, niveli i ujit do të rritet për rreth tri metra. Policia paralajmëroi që të shmanget zona e prekur.
Shërbimi Gjerman i Motit pret që ky mot të vazhdojë edhe ditëve të ardhshme dhe era nuk pritet të dobësohet deri të dielën.
Stuhia “Zoltan” po shkakton kaos edhe në pjesë të tjera të Gjermanisë, jo vetëm në veri. Ekspertët presin reshje të dendura e të vazhdueshme të shiut në Malet Harz, që shtrihen në pjesën qendrore, dhe në Oberallgau, në kufi me Austrinë.