Stuhi e fuqishme e vërshime në lindje të ShBA-së, së paku katër të vdekur - NACIONALE

Stuhi e fuqishme e vërshime në lindje të ShBA-së, së paku katër të vdekur

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Së paku katër persona kanë vdekur pas një stuhie të fuqishme që shkaktoi vërshime të rrezikshme e pengesa në udhëtime përgjatë bregdetit lindor të Shteteve të Bashkuara, ndërsa mbi 620 mijë shtëpi e biznese mbetën pa rrymë në pjesën verilindore, e cila ballafaqohet me temperatura të ulëta e reshje bore të martën.

Zyrtarët lokalë raportuan se një burrë në Pensilvani e në një grua në Karolinë të Jugut – të dy në të shtatëdhjetat – vdiqën, pasi automjetet e tyre mbetën të ngujuara në ujë. Për dy të vdekur të tjerë u raportua në Maine dhe Massachusetts, raporton televizioni CNN.

Reshjet e dendura të shiut shkaktuan vërshime që ngujuan drejtues veturash në New Jersey e Connecticut, ndërsa autoritetet në New Hampshire e Maine zhvilluan operacione për shpëtim nga uji.

Edhe pse stuhia lëvizi drejt Kanadasë të hënën vonë dhe reshjet e shiut kryesisht u pakësuan në verilindje, ndikimi i stuhisë pritet të vazhdojë në Anglinë e Re edhe të martën. Rreziku nga vërshimet mbetet në disa komunitete, ku niveli i ujit në lumenj është ende duke e arritur kulmin.

Të martën mund të ketë reshje bore në disa pjesë në perëndim të Nju-Jorkut dhe Pensilvanisë, si dhe në disa pjesë të Liqeneve të Mëdha e në Appalachians.

Rikthimi i plotë i furnizimit me energji elektrike për disa banorë në Maine mund të marrë disa ditë, paralajmëroi kompania që u shërben më shumë se 600 mijë konsumatorëve.

Kushtet e vështira i kanë nxitur autoritetet që të mbyllin shkolla ose ta shtyjnë mësimin në disa distrikte në Maine dhe New Hampshire.

Shkollat në qytetin Paterson, në New Jersey, u mbyllën deri në një njoftim tjetër, pasi kryetari shpalli gjendje të jashtëzakonshme të hënën pasdite në pritje të vërshimeve nga rritja e nivelit të ujit në Lumin Passaic, duke thënë se ai “pret që më e keqja” e vërshimeve të ndodhë gjatë 24 orëve të ardhshme.

Lajme të ngjashme