Stuhi e ashpër bore në Rusi, në Moskë priten reshje rekorde për dhjetor
Pjesë të mëdha të Rusisë u përfshinë të premten nga stuhia e borës. Kryeqyteti, Moska, u mbulua nga njëra nga shtresat më të mëdha të borës në dekada dhe u shkaktua kaos në rrugët kryesore, ku kamionët për pastrimin e saj u ballafaquan me mbi 20 centimetra reshje e erë të fuqishme.
Një ciklon solli më shumë se 24 orë stuhi të vazhdueshme në kryeqytetin rus. Kjo mund të jetë njëra nga stuhitë më të fuqishme të borës që e ka goditur Moskën në 60 vitet e fundit, sipas meteorologëve, raporton agjencia “Reuters”.
Më shumë se një e pesta e reshjeve mesatare të borës për dhjetor u regjistrua për vetëm 24 orë në stacionet meteorologjike në Moskë, ku rrugët u mbuluan me borë dhe vozitësit e automjeteve kishin vështirësi për t’i nxjerrë ato nga parkingjet.
Uebfaqja e motit, “Gismeteo”, tha se reshjet e përgjithshme të borës në dhjetor në Moskë mund të arrijnë në 50 centimetra – niveli më i lartë i regjistruar për muajin e fundit të vitit.
Shkollat në disa rajone të Rusisë evropiane u mbyllën për shkak të borës, raportoi televizioni rus. Një kolonë 10-kilometërshe në trafik u formua gjatë natës në njërën nga rrugët kryesore të Rusisë – M4 – duke lënë të ngujuar shumë vozitës në temperatura të ulëta.
Gazeta “Kommersant” raportoi se çmimet për t’i nxjerrë veturat nga bora janë rritur në Moskë dhe kanë shkuar në rreth 5 mijë rubla (55 dollarë).