Studiuesit thonë se kanabisi medicinal mund të lehtësojë dhimbjet e kancerit - NACIONALE

Studiuesit thonë se kanabisi medicinal mund të lehtësojë dhimbjet e kancerit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një studim i ri ka sugjeruar se kanabisi medicinal mund të lehtësojë dhimbjet nga kanceri dhe të zvogëlojë nevojën për barna.

Sipas The Independent, nga studimi është arritur në përfundm se kanabisi medicinal është një “trajtim plotësues i sigurt dhe efektiv për lehëtsimin e dhimbjeve te pacientët me kancer”, duke identifikuar produktet me një ekuilibër të barabartë të tetrahidrokanabinolit (THC) dhe kanabidiolit (CBD) si më efektivët për lehtësimin e dhimbjes.

Hulumtimi – i kryer nga studiues nga Kolegji Mbretëror i Kirurgëve në Dublin dhe Qendra e Kancerit Cedars në Kanada – ka vënë në dukje se 38 për qind e të gjithë pacientëve me kancer përjetojnë dhimbje të moderuara deri në të forta. Ndërkohë, 66 për qind e pacientëve me sëmundje të avancuar, metastatike ose terminale ndjejnë dhimbje.

Ndërsa janë dashur tre vite për kryerjen e këtij studimi, raportohet se për realizimin e tij janë anketuar 358 të rritur me kancer, me një moshë mesatare 57 vjeç. Në detaje tregohet se afërsisht një të katërtës së pjesëmarrësve u janë përshkruar produkte mbizotëruese të THC, 17 për qind produkte dominuese nga CBD dhe 38 për qind një bilanc i të dyjave. Më tej thuhet se në tre, gjashtë dhe nëntë muaj, pacientët kanë përjetuar një reduktim të ndjeshëm të dhimbjeve.

Bëhet e ditur se në përgjithësi produktet janë pranuar mirë nga pjesëmarrësit, me të vetmet efekte anësore të zakonshme si përgjumja ose lodhja.

Gjatë gjithë studimit po ashtu thuhet se pacientët e kanë ulur numrin e barnave kundër dhimbjeve, duke konkluduar se kanabisi medicinal është një opsion “i sigurtë” dhe “plotësues”

"Profili veçanërisht i mirë i sigurisë së [kanabisit medicinal] i gjetur në këtë studim mund t'i atribuohet pjesërisht mbikëqyrjes së ngushtë nga profesionistët e kujdesit shëndetësor që autorizuan, drejtuan dhe monitoruan trajtimin," – kanë thënë studiuesit.

Lajme të ngjashme