Studiuesit italianë: Lëreni krejt alkoolin, edhe sasia e vogël e dëmton shëndetin - NACIONALE

Studiuesit italianë: Lëreni krejt alkoolin, edhe sasia e vogël e dëmton shëndetin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sipas një studimi të kryer nga shkencëtarët italianë, një gotë e vogël me verë për çdo natë mund të jetë e mjaftueshme për ta rrezikuar zemrën nga sulmi.

Ekspertët zbuluan se edhe konsumimi i një sasive të vogël të alkoolit përditë është i mjaftueshëm për ta rritur në shkallë të konsiderueshme shtypjen e gjakut, raporton “Daily Mail”.

Hulumtuesit italianë pretendojnë se, si rezultat i analizës së tyre, njerëzit duhet ta shmangin plotësisht alkoolin.

Shtypja e lartë e gjakut është ndër shkaktarët kryesorë të sulmeve në zemër dhe sulmeve në tru.

Hulumtuesit në Universitetin e Modenas dhe Reggio Emilias i krahasuan të dhënat e shtypjes së gjakut të më shumë se 20 mijë njerëzve, të cilët ishin përcjellë për të paktën katër vjet.

Vullnetarët, që konsumuan mesatarisht nga 12 gramë alkool në ditë, patën shtypje të gjakut për 1.25mmHG më të lartë se ata që nuk kishin konsumuar alkool.

Kjo sasi e alkoolit është e barabartë me atë që ndodhet në një gotë të vogël me verë ose në një shishe 330-mililitërshe të birrës.

Konsumuesit e sasisë më të madhe të alkoolit, të cilët e kishin konsumuar katërfishin e sasisë 12-gramëshe, patën rritje të shtypjes së gjakut për 4,9mmHG.

Shtypja e lartë e gjakut konsiderohet tregues kyç i shëndetit të dobët të zemrës.

Dr. Marco Vinceti, njëri nga hulumtuesit, tha: “Ne nuk kemi gjetur efekte dobiprurëse te të rriturit që kishin pirë nivel më të ulët ët alkoolit në krahasim me ata që nuk kishin pirë alkool.”

Vinceti tha se ekipi i tij ishte “disi i befasuar”, kur kuptoi se edhe niveli i ulët i alkoolit ishte i lidhur me ndryshimin e shtypjes së lartë të gjakut.

“Alkooli sigurisht se nuk është nxitësi i vetëm i rritjes së shtypjes së gjakut. Megjithatë, rezultatet tona konfirmojnë se ai kontribuon në një mënyrë kuptimplote”- shtoi hulumtuesi italian.

Studimi u publikua në revistën “Hipertensioni”. Rezultatet janë marrë nga shtatë studime të tjera për konsumimin e alkoolit dhe shtypjen e gjakut, të kryera në ShBA, Kore dhe Japoni në periudhën 1997 – 2001.

Lajme të ngjashme