Stoltenberg: Anëtarët e NATO-s janë dakord që Ukraina të bashkohet me aleancën
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se të gjitha vendet anëtare kanë rënë dakord që Ukraina do t'i bashkohet përfundimisht aleancës ushtarake transatlantike pasi të përfundojë lufta.
The Guardian raporton se njoftime të mëtejshme për armët dhe mbështetjen për Ukrainën priten pas samitit në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, duke shtuar se Stoltenberg dukej mjaft optimist në lidhje me perspektivat afatgjata të Ukrainës për t'u bashkuar me NATO-n.
"Të gjithë aleatët e NATO-s kanë rënë dakord që Ukraina do të bëhet anëtare. Presidenti Zelenskiy ka një pritje shumë të qartë, ne e diskutuam këtë,”- është shprehur Stoltenberg.
“Edhe çështja e anëtarësimit, por edhe garancitë e sigurisë, dhe sigurisht Ukraina ka nevojë për siguri. Sepse askush nuk mund të thotë se kur dhe si përfundon kjo luftë. Por ajo që dimë është se kur të përfundojë lufta, ne duhet të sigurohemi që historia të mos përsëritet,”- ka thënë tutje ai.
Anëtarësimi në NATO, duke mbartur me vete një angazhim nga të gjitha vendet anëtare për të mbrojtur njëri-tjetrin nëse sulmohen, ka qenë prej kohësh një kërkesë nga Kievi. Megjithëse NATO ka rënë dakord në parim në vitin 2008 që Ukraina mund të lejohej të anëtarësohej, vendit nuk i është dhënë kurrë një rrugë formale drejt anëtarësimit.
Edhe shpërthimi i luftimeve me Rusinë, i cili daton që nga viti 2014, ka vepruar gjithashtu si një pengesë e mëtejshme për anëtarët e NATO-s, sepse anëtarësimi i menjëhershëm i Ukrainës do të sillte një konflikt të menjëhershëm me një Moskë të armatosur bërthamore, të cilën ShBA dhe shtetet e tjera anëtare e kanë bërë të qartë se nuk po e mendojnë.
Dihet që Zelenskiy është planifikuar të marrë pjesë në samitin e ardhshëm vjetor të NATO-s në Vilinus, Lituani, që do të mbahet në muajin korrik, por zyrtarët ukrainas kanë thënë se duan që aleanca të bie dakord për një udhërrëfyes për anëtarësimin si kusht për pjesëmarrjen e tij.
Kujtojmë se shtatorin e kaluar, Kievi ka aplikuar për një anëtarësim të përshpejtuar në aleancë.
