Starmer i del në mbrojtje Zelenskyt pas sulmit nga Trumpi: Krejt i arsyeshëm pezullimi i zgjedhjeve - NACIONALE

Starmer i del në mbrojtje Zelenskyt pas sulmit nga Trumpi: Krejt i arsyeshëm pezullimi i zgjedhjeve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Sir Keir Starmer, ka biseduar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për të shprehur mbështetje për të “si udhëheqës i zgjedhur në mënyrë demokratike i Ukrainës”, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, pretendoi se Zelensky është “diktator”.

Një zëdhënës i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar tha: “Kryeministri foli me presidentin Zelensky këtë mbrëmje (të mërkurën) dhe e theksoi nevojën që të gjithë të punojnë së bashku. Kryeministri e shprehu mbështetjen e tij për presidentin Zelensky si udhëheqës i zgjedhur në mënyrë demokratike i Ukrainës dhe tha se ishte krejt i arsyeshëm pezullimi i zgjedhjeve gjatë kohës së luftës, siç kishte bërë Britania gjatë Luftës së Dytë Botërore”, raporton gazeta “The Guardian”.

Ukraina do të duhej të mbante zgjedhje vitin e kaluar, por ato u anuluan për shkak të pushtimit rus që nisi në shkurt të vitit 2022 me urdhrin e presidentit rus, Vladimir Putin.

Edhe figura të tjera të larta politike në Britani kanë reaguar ndaj komenteve të presidentit amerikan.

Udhëheqësja konservatore opozitare, Kemi Badenoch, tha se Zelensky është “udhëheqës i zgjedhur në mënyrë demokratike i Ukrainës, i cili në mënyrë të guximshme qëndroi para pushtimit ilegali të Putinit”.

Udhëheqësi i Partisë Liberal-demokrate, Ed Davey, tha se komentet e Trumpit “duhet të jenë aty ku tërhiqet një vijë”./Nacionale

Lajme të ngjashme