“Spiegel”: Zelensky të premten në bazën ajrore amerikane “Ramstein” në Gjermani
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të marrë pjesë në një takim të premten të grupit të vendeve “Ramstein”, që e furnizojnë Kievin me armë, raportoi revista gjermane “Spiegel”.
Zelensky pritet që të kërkojnë më shumë armë për vendin e tij, veçanërisht raketa me rreze të gjatë veprimi e më shumë mbrojtje ajrore gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes në bazën ajrore amerikane “Ramstein”, në pjesën perëndimore të Gjermanisë, raporton agjencia “Reuters”, duke e cituar revistën e njohur gjermane.
Pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës më 2022, Shtetet e Bashkuara mblodhën vende me qëndrime të ngjashme në “Ramstein”, duke themeluar një grup që tani ka më shumë se 50 shtete që takohen rregullisht për t’i plotësuar kërkesat e Kievit për armë me zotime të donatorëve.
Zelensky u ka bërë thirrje aleatëve që të ofrojnë ndihmë me mbrojtje ajrore dhe me heqjen e kufizimeve që ia ndalojnë Kievit përdorimin e armëve për sulme me rreze të gjatë brenda Rusisë.
Takimi i së premtes në “Ramstein” vjen vetëm rreth një javë pas njërës prej valëve më të mëdha të sulmeve ajrore ruse ndaj Ukrainës dhe në kohën e frikës se ndihma ushtarake perëndimore mund të ngecë pas më shumë se dy vjetëve luftë.
Në përpjekje për t’i larguar shqetësimet e tilla, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha të mërkurën se vendi i tij nuk do ta pakësojë ndihmën për Ukrainën.
“Përkrahja për Ukrainën nuk do të pushojë. Ne kemi bërë dispozita, kemi bërë marrëveshje [të mbrojtjes] dhe i kemi siguruar fondet në kohë të mirë në mënyrë që Ukraina të mund të vazhdojë që të mbështetet plotësisht te ne në të ardhmen” – tha kancelari Scholz./Nacionale