Spanja thërret përsëri takim emergjent pas vrasjes së gjashtë grave
Qeveria spanjolle e ka thirrur takimin e dytë emergjent të ekspertëve kundër dhunës në familje brenda më pak se një muaji pas vrasjes së gjashtë grave e një vajze të re nga fillimi i janarit.
Autoritetet po e shqyrtojnë mundësinë që grave të abuzuara t’u mundësojnë që të dinë nëse partnerët e tyre kanë qenë të dënuar për shkelje të dhunshme.
Komiteti i krizave u mblodh për herë të fundit në dhjetor pas vrasjes së 11 grave, shkruan gazeta “The Guardian”.
Të hënën, një grua 45-vjeçare dhe vazja e saj 8-vjeçare u vranë në provincën veriperëndimore, Valladolid. Vrasja e tyre ndodhi pesë ditë pas vrasjes së një gruaje 38-vjeçare në provincën katalane, Lleida.
Rastet e fundit e kanë çuar në 1.188 numrin e grave të vrara nga partnerët ose ish-partnerët e tyre që nga viti 2003. Gjatë periudhës së njëjtë, 49 fëmijë janë vrarë gjatë dhunës në familje. Më 2022, 49 gra u vranë nga partnerët ose ish-partnerët e tyre, ndërsa 43 të tjera vdiqën në sulme të këtilla më 2021.
“Deri më tani këtë janar, gjashtë gra dhe një vajzë 8-vjeçare janë vrarë nga dhuna seksiste”,- tha të hënën pasdite ministrja e Barazisë e Spanjës, Irene Montero.
“Ministria e Barazisë do të thërrasë një takim të komitetit të krizave në orën 10 këtë të premte për të analizuar secilin rast në hollësi, për të zbuluar se çfarë ka shkuar gabim, për ta përmirësuar bashkërendimin dhe për t’u siguruar që ne gjithmonë të arrijmë atje me kohë”- shtoi ministrja Montero.
Muajin e kaluar, qeveria u bëri thirrje gjykatave dhe prokurorëve që ta shtojnë përdorimin e byzylykëve elektronikë për t’i mbrojtur gratë, ish-partnerët e të cilave janë subjekt i urdhrave kufizues.
Megjithatë, partitë opozitare e kanë akuzuar pushtetin se ka dështuar që t’i mbrojë gratë përmes miratimit të legjislacionit që u ka lejuar disa shkelësve të dënuar që t’i shkurtojnë dënimet përmes apelit.