Spanja ndan 3,76 miliardë euro ndihmë të re për Valencian pas vërshimeve - NACIONALE

Spanja ndan 3,76 miliardë euro ndihmë të re për Valencian pas vërshimeve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, të hënën njoftoi për ndarjen e 3 miliardë e 760 milionë eurove si masë shtesë për rindërtimin e zonës së Valencias pas vërshimeve më vdekjeprurëse në historinë moderne të shtetit të Evropës jugperëndimore.

Më shumë se 220 njerëz vdiqën, pasi shiu i dendur më 29 tetor nxiti vërshime që përfshinë pjesë periferike në jug të kryeqytetit rajonal, Valencia, raporton agjencia “Reuters”.

“Ende ka rrugë për t’u pastruar, ka garazhe për t’iu hequr uji, ka shumë infrastrukturë për t’u riparuar dhe, mbi të gjitha, shumë jetë, shumë shtëpi dhe shumë biznese për t’iu rikthyer normales” – tha kryeministri spanjoll para gazetarëve pas takimit javor të kabinetit qeveritar.

Pakoja e re me 110 masa u ofron ndihmë amvisërive me qira dhe përfshin një pako prej 500 milionë eurosh për largimin e baltës në zonat e prekura dhe 200 milionë euro ndihmë për bujqit.

Kryeministri Sanchez tha se në pako përfshihet lehtësim kreditor prej 12 muajsh për amvisëritë e ndjeshme, pas një moratoriumi njëvjeçar që u njoftua javën e kaluar.

Sanchez-i gjithashtu tha se Qeveria do të caktojë 150 shtëpi ose banesa në zonat e dëmtuara ose afër tyre për familjet e prekura dhe do të ndajë 25 milionë euro për blerjen e shtëpive.

Lajme të ngjashme