Spanja miraton reformë lehtësuese për punëtorët e huaj, ka mungesa në dy sektorë - NACIONALE

Spanja miraton reformë lehtësuese për punëtorët e huaj, ka mungesa në dy sektorë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria spanjolle të martën e miratoi reformën në ligjet e emigrimit për t’ua lehtësuar punën në Spanjë punëtorëve të huaj.

Ndonëse Spanja e ka njërën ndër shkallët më të larta të papunësisë në Bashkimin Evropian – rreth 13 për qind – vendi synon që t’i plotësojë vendet e lira të punës dhe për ta rregulluar situatën e punës së migrantëve që tashmë jetojnë atje.

Sipas reformës, Spanja do t’i lejojë të huajt që kanë jetuar në këtë shtet për më shumë se dy vjet që të kenë qasje në trajnime të lidhura me profesionet ku kërkohen punëtorë. Ky hap do të shërbente si “urë” drejt tregut ligjor të punës në Spanjë, sipas ministrit të Migracionit, Jose Luis Escriva.

Në Spanjë ka mungesë punëtorësh më së shumti në sektorët e bujqësisë dhe shërbimeve, shkruan Anadolu, përcjell Nacionale.

Reforma do t’u mundësojë gjithashtu rreth 50.000 studentëve të huaj, që janë duke studiuar në Spanjë, që të punojnë dhe të kenë qasje më të lehtë në tregun e punës posa t’i përfundojnë studimet.

Reforma do të zbatohet edhe për punëtorët e huaj sezonalë dhe do ta bëjë më të lehtë për të huajt regjistrimin si punëtorë të vetëpunësuar.

Sipas reformës, punëdhënësit do ta kenë më të lehtë marrjen e punëtorëve të huaj për vendet ku kërkohen punëtorë dhe me këto masa synohet që të përshpejtohen dhe të thjeshtësohen të gjitha proceset e migracionit.

Më 2022, më shumë se 15.000 emigrantë kanë hyrë në Spanjë përmes rrugëve të çrregullta të migrimit nga toka ose deti. Mbi 9.300 prej tyre janë futur përmes rrugës së Ishujve Kanarine, në të cilën kanë vdekur qindra njerëz vetëm këtë vit.

Reforma u miratua pavarësisht nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila pretendoi se këto ndryshime vetëm do ta promovojnë emigrimin ilegal, raportoi gazeta “El Pais”.

Reforma me hollësi të tjera pritet të publikohet në gazetën zyrtare të mërkurën dhe të futet në fuqi 20 ditë pas publikimit./Nacionale

Lajme të ngjashme