Spanja ia jep shtetësinë shahistes iraniane që kishte garuar pa shami
Autoritetet spanjolle kanë njoftuar se i është dhënë shtetësia e Spanjës një shahisteje iraniane, e cila në janar ishte vendosur në shtetin evropian, pasi kishte garuar pa shami dhe i ishte lëshuar fletarrestim në atdhe.
Sarasadat Khademalsharieh, e njohur më mirë si Sara Khadem, mori pjesë në garat botërore të shahut në Kazakistan në fund të dhjetorit pa shami në kokë, që është e detyrueshme sipas kodit të veshjes në Iran, raporton agjencia “Reuters”.
Detyrimi për ta vendosur shaminë ishte bërë pikë e nxehtë gjatë kryengritjes që e përfshiu Iranin, kur një grua 22-vjeçare e quajtur Mahsa Amini vdiq në ndalim policor të policisë së moralit në shtatorin e vitit të kaluar.
Shahistja i ka thënë agjencisë “Reuters” se nuk ishte penduar për gjestin e saj në përkrahje të protestës kundër udhëheqësisë klerike të Iranit.
Në gazetën zyrtare të Spanjës thuhet se kabineti e miratoi dhurimin e shtetësisë shahistes të martën “duke i marrë parasysh rrethanat e veçanta” të rastit të saj.