Spanja i bën thirrje Izraelit që t’i ndalë operacionet tokësore në Liban
Izraeli duhet t’i ndalë bastisjet tokësore në jug të Libanit për ta shmangur eskalimin e konfliktit në rajon më të gjerë, tha të martën ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares.
“Ne këmbëngulim që pushtimi tokësor duhet të ndalet, pasi po pranojmë të dhëna shumë shqetësuese” – tha kryediplomati spanjoll, duke shtuar se është “e nevojshme për të arritur një armëpushim në Liban dhe në Gaza”, raporton agjencia “Reuters”.
Më herët të martën, Izraeli tha se luftime të ashpra shpërthyen me Hezbollahun e përkrahur nga Irani në jug të Libanit, pasi parashutistët, trupat komando dhe njësitet e blinduara i nisën bastisjet në fillim të operacionit tokësor.
Ministri spanjoll gjithashtu i dënoi sulmet me raketa të Hezbollahut ndaj territorit izraelit. Ai tha se mënyra e vetme për ta arritur paqen në Lindje të Mesme është që palët t’i respektojnë të drejtën humanitare ndërkombëtare dhe masat mbrojtëse që u ofrohen civilëve.
Nga shkurti i vitit 2022, Spanja e ka udhëhequr Forcën e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban dhe ka dislokuar 650 trupa përgjatë kufirit jugor të Libanit me Izraelin.