Sot zgjedhjet në Kroaci, në pyetje edhe mbështetja për Ukrainën - NACIONALE

Sot zgjedhjet në Kroaci, në pyetje edhe mbështetja për Ukrainën

1 javë më parë

nga NACIONALE

Kroatët po votojnë të mërkurën në një palë zgjedhje të rëndësishme parlamentare që mund ta ndryshojnë në masë domethënëse qëndrimin pro-perëndimor të vendit rreth disa çështjeve, përfshirë mbështetjen evropiane për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.

Sipas anketave, Unioni Demokratik Kroat i kryeministrit Andrej Plenkoviq mund ta humbë shumicën përballë një koalicioni të udhëhequr nga presidenti populist, Zoran Milanoviq, i cili nuk është zyrtarisht kandidat, raporton gazeta “The Guardian”.

Pavarësisht nga një varg i skandaleve të korrupsionit, pro-evropiani Plenkoviq, i cili ka qenë kryeministër nga viti 2016, dukej në pozitë goxha të sigurt për ta siguruar mandatin e tretë derisa Milanoviqi e njoftoi sfidën e tij të befasishme muajin e kaluar.

Vendimi i presidentit e drodhi vendin, nxiti një luftë të ashpër me fjalë mes dy rivalëve të vjetër dhe shndërroi një garë të parashikueshme në çështje shumë më të ngushtë, edhe pse gjykata më e lartë në Kroaci ia ka ndaluar Milanoviqit pjesëmarrjen në zgjedhje.

Gjykata Kushtetuese vendosi më 18 mars se presidenti së pari duhej të jepte dorëheqje, sepse aktivitetet politike e partiake nuk ishin në përputhje me pozitën e tij, duke i nxitur kritikat e Milanoviqit, i cili i quajti gjykatësit “fshatarë”.

Sidoqoftë, presidenti ka refuzuar që ta ndërpresë fushatën kundër partisë në pushtet, duke premtuar se nëse koalicioni Lumenjtë e Drejtësisë del fitues, ky grup politik do të zhvillojë “luftë të pakompromis kundër korrupsionit” dhe do t’i rrisë pagat e pensionet.

Presidenti, i cili duhet të japë dorëheqje, nëse dëshiron që ta udhëheqë qeverinë e ardhshme në rast të fitores së Partisë Socialdemokrate, gjithashtu i kundërshton ndihmat e mëtejme për Ukrainën, duke nxitur frikë se Kroacia mund të renditet me vendet anëtare të BE-së që kanë marrëdhënie më miqësore me Rusinë, si Hungaria e Sllovakia.

Unioni Demokratik Kroat kryesisht ka mbizotëruar në politikën kroate që nga pavarësia e vendit nga Jugosllavia më 1991, duke qenë në pushtet gjatë pranimit të vendit në BE dhe në Eurozonë. Vitin e kaluar, Kroacia shënoi rritje ekonomike prej 2,8 për qind, dukshëm mbi mesataren e BE-së.

Megjithatë, janë shtuar kundërshtimet ndaj atij që kritikuesit e shohin si model korrupsioni e nepotizmi. Emërimi i një gjykatësi të lidhur me partinë e Plenkoviqit në pozitën e kryeprokurorit të shtetit nxiti protesta në rrugë rishtazi.

Ivan Rimac, profesor i drejtësisë në Universitetin e Zagrebit, tha se gjatë dy mandateve të Plenkoviqit në pushtet, rreth 30 ministra janë larguar nga pushteti rreth akuzave për korrupsion në disa raste që përfshinin një varg keqpërdorimesh të fondeve të BE-së dhe humbjeve të kompanive publike.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme