Sot zgjedhjet në Kanada, pritet garë e ngushtë mes konservatorëve e liberalëve - NACIONALE

Sot zgjedhjet në Kanada, pritet garë e ngushtë mes konservatorëve e liberalëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kanadezët do të votojnë të hënën në një palë zgjedhje shumë të rëndësishme, të cilat janë transformuar plotësisht nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Në fillim të vitit dukej se konservatorët do të shënonin fitore bindëse, deri kur taksat dhe deklaratat shpotitëse të presidentit amerikan rreth Kanadasë si “shteti i 51-të” i ShBA-së e përmbysën politikën kanadeze dhe i dhanë mbështetje të freskët Partisë Liberale të Mark Carney-t, raporton televizioni BBC.

Sipas sondazheve të fundit, liberalët kanë epërsi të ngushtë, edhe pse gara është bërë më e ashpër në javën e fundit dhe udhëheqësi i konservatorëve, Pierre Poilievre, thotë se partia e tij mund të fitojë.

Fushata zgjedhore 36-ditore përfundoi me atmosferë të zymtë, përderisa udhëheqësit e partive reaguan pas sulmit të së shtunës mbrëma, kur një person la të vrarë 11 njerëz në Vancouver, duke i goditur me veturë.

Carney, kryeministër aktual, anuloi një tubim në Hamilton të dielën në mëngjes për t’iu drejtuar kombit pas sulmit, ku një xhip goditi një turmë njerëzish në një festival të banorëve me prejardhje filipinase.

Poilievre, në ndërkohë, shtoi një tubim në Mississauga, në periferi të Torontos, për të biseduar me anëtarë të komunitetit filipinas atje.

Vendimi i Trumpit për t’i vendosur taksë prej 25 për qind fqinjit verior dhe kërcënimet e tij të përsëritura për ta aneksuar shtetin e dytë më të madh në botë për nga sipërfaqja kanë nxitur zemërim dhe ndjenja të nacionalizmit kanadez.

Gjatë tubimeve të fushatës, 60-vjeçari Carney ka folur shpesh për nevojën që t’i kundërvihet një rreziku ekzistencial që vjen nga Trumpi, për të cilin ka thënë se “po mundohet të na thyejë në mënyrë që ShBA-ja të na posedojë”.

Ai e ka paraqitur veten si kandidati më i mirë për ta udhëhequr vendin gjatë kësaj krize raportesh, duke u mbështetur në përvojën si ish-guvernator i Bankës Qendrore gjatë Recesionit të Madh si dhe për rolin e tij në Bankën e Anglisë gjatë Brexit-it./Nacionale

Lajme të ngjashme