Sot zgjedhje në Iran, pritet dalje shumë e ulët
Iranianët filluan që të votonin të premten në zgjedhje legjislative për të cilat analistët thonë se mund të kenë pjesëmarrje rekorde të ulët të qytetarëve, përderisa ata po ballafaqohen me vështirësi ekonomike, shtim të mosbesimit politik dhe një lëvizje të shtypur protestuese.
Lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë si akt i rezistencës kundër armiqve të vendit, votoi në Teheran, sipas një transmetimit të drejtpërdrejtë nga mediat shtetërore, raporton televizioni CNN.
Irani ishte duke bërë përpjekje për ta rritur numrin e qytetarëve që do të votojnë, por thirrjet ndaj tyre për t’u paraqitur në qendra të votimit mund të kenë rënë në veshë të shurdhër, thekson televizioni i njohur amerikan.
Rreth 15 mijë kandidatë po garojnë në zgjedhje parlamentare për Kuvendin me 290 ulëse, ndërsa 144 po garojnë për 88 ulëset e Asamblesë së Ekspertëve, e cila e ka kompetencën për ta emëruar liderin suprem, autoriteti më i lartë politik në Iran.
Khamenei është 84 vjeç, prandaj përbërja e re e Asamblesë së Ekspertëve do ta zgjedhë pasardhësin e tij, nëse ai vdes gjatë mandatit 8-vjeçar të këtij institucioni.
Dalja e qytetarëve për të votuar pritet të jetë e ulët. Kandidatët që ishin kundër qeverisë së tanishme të vijës së ashpër janë diskualifikuar nga gara si pjesë e një shtypjeje të gjerë të pakënaqësisë, për të cilën grupet për të drejtat e njeriut thonë se ishte intensifikuar vetëm pas lëvizjes protestuese të vitit 2022, që ishte nxitur nga vdekja e Mahsa Aminit në ndalim policor.
“Jo, nuk do të votoj” – i tha televizionit CNN një grua 23 vjeçe nga Teherani. “Ato [zgjedhjet] mbahen si shfaqje dhe propagandë dhe, sipas mendimit tim, pjesëmarrja në ngjarje të tilla është bashkëfajësi dhe ndihmë për propagandën e tyre politike” – shtoi ajo, duke kërkuar që të mos i publikohej emri nga frika për hakmarrje nga autoritetet.
Sipas Bordit Mbikëqyrës të Zgjedhjeve në Iran, më shumë se 61 milionë iranianë kanë të drejtë vote në këto zgjedhje. Irani ka gjithsej rreth 87 milionë banorë.